Lutfi Haziri sulmon fort Vjosa Osmanin: “Nusja e Preshevës po shet men te Boletini i Kosovës”

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka sulmuar rëndë deputeten e partisë së tij, Vjosa Osmani, e cila sot bashkë me bashkëpartiakët e saj deputetë....

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka sulmuar rëndë deputeten e partisë së tij, Vjosa Osmani, e cila sot bashkë me bashkëpartiakët e saj deputetë, Armend Zemaj dhe Haxhi Avdyli, ka vizituar kullën e Isa Boletinit në Boletin të Zveçanit, prej ku ka dërguar mesazhe kundër atyre që duan të shkëmbejnë territoret e Kosovës.

Deputetja Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “në kullën e Isa Boletinit, komuna e Zveçanit, në veri të vendit, pamë sërish dëshmitë e përpjekjeve shekullore për liri, të bartura brez pas brezi në trojet e të parëve tanë, të cilat sot po bëhen pjesë e pazareve të rrezikshme dhe luftë-nxitëse. Këta gurë janë dëshmi e qëndresës sonë, dhe ky vend, ashtu siç bëri historinë në të kaluarën, do e vërtetojë sërish se Kosova nuk ka tokë për t’i dhënë Serbisë”.

Ndaj postimit të deputetes Osmani ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili përkrah idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka ironizuar me bashkëpartiaken e tij, duke thënë se “Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi”.

Postimi i plotë i Hazirit:

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi.

Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën.

Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë!

#KosovaLindoreamanet”, ka shkruar Haziri.

Ndërsa Vjosa Osmani ka thënë se “Fjalimet dhe dëshirat e Vuçiçit, njëjtë si dhe të mentorëve të tij Milloseviç e Sheshel (por edhe të disave në Kosovë) për këto toka, ishin dhe do të mbeten vetëm ëndërra të papërmbushura dhe asgjë tjetër”.