Policia kroate brutale ndaj refugjatëve të bllokuar në Bosnjë (Foto)

Velika Kladusa e Bosnje Hercegovinës në kufi me Kroacinë është vendi që shumë refugjatë palestinezë, afganë, pakistanezë e sirianë janë bllokuar.

Ata po jetojnë në kushte shumë të rënda higjienike.

Rrahje brutale, telefona të shkatërruar, kontrollim i rreptë nëpër trup për t’iu gjetur armë dhe vjedhje parash, ishin disa nga përvojat brutale me të cilat u përballen refugjatët dhe emigrantët me policinë kroate.

Ky abuzim iu bëhet, thonë ata, gjatë përpjekjeve për të kaluar përmes Kroacisë në Gjermani

Bosnja po shihet si një rrugë e re drejt Europës Perëndimore, pasi BE i shtrëngoi masat për kalimin e kufijve.

Këtë vit, më shumë se 13 mijë refugjatë dhe emigrantë kanë arritur deri tani në vend, krahasuar me vetëm 755 në vitin 2017.

Në Velika Kladusa, qyteti më perëndimor i Bosnjës pranë kufirit kroat, qindra njerëz kanë jetuar në tenda të improvizuara në një fushë për katër muajt e fundit.

Gjatë natës, fillon “loja”, një term i përdorur nga refugjatët dhe emigrantët për udhëtimin me plot sfida, kur ata synojnë të shkojnë në BE përmes Kroacisë dhe Sllovenisë e që nënkuptojnë udhëtime të vështira nëpër pyje e duke kaluar nëpër lumenj.

Megjithatë, shumë prej tyre janë kapur në Slloveni ose Kroaci dhe janë të detyruar të kthehen në Bosnjë nga policia kroate, të cilët patrullojnë kufijtë e tyre si pjesë e BE-së.

Të 17 refugjatët dhe emigrantët e intervistuar nga Al Jazeera thanë se janë rrahur nga policia kroate, disa me shkopinj e të tjerë janë goditur rëndë.

Sipas dëshmive të tyre, policia kroate ka vjedhur gjëra me vlera dhe para nga ata, ia ka marrë pasaportat dhe ka shkatërruar telefonat celularë, duke penguar komunikimin e tyre dhe rrugën drejt BE-së.