Hoti i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Ushtria e Kosovës mund të jetë ankth vetëm për ata që kanë ambicie për gllabërim tokash

Shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti ka thënë sot se krijimi i ushtrisë është proces që nuk mund ta ndal askush dhe atë do ta bëjnë në bashkëpuni

Shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti ka thënë sot se krijimi i ushtrisë është proces që nuk mund ta ndal askush dhe atë do ta bëjnë në bashkëpunim me aleatët.

Hoti këtë reagim e bëri pasi një ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se formimi i Ushtrisë së Kosovës do të shkaktojë shok dhe ankth.

“Dje Presidenti i Serbisë Vuçiq formimin e Ushtrisë së Kosovës e kualifikoj si diçka që do të shkaktoj shok dhe ankth. Kjo mund të jetë e vërtetë por vetëm për ata që thirrjet për paqe dhe stabilitet në rajon i kanë kamuflime për të realizuar ambicie të vjetra, ndryshime kufinjësh në Ballkan dhe gllabrim tokash. Kjo gjithashtu mund të jetë e vërtetë edhe për ata që punojnë kundër interesave euro-atlantike në rajonin tonë”, shkruan Hoti në Facebook.

Sipas tij, formimi i ushtrisë do të determinoj paqe dhe siguri në rajon si dhe shtrirje e forcim të gjeopolitikës euro-atlantike.

“Prandaj krijimi i saj është proces që nuk mund ta ndal askush dhe atë do ta bëjmë në bashkëpunim me aleatët tanë”, ka thënë ndër të tjera, Avdullah Hoti.