Biserko: Vuçiq filloi bisedimet me Ramën për ndarjen e Kosovës para dy vjetësh në Nish

Muajt e fundit, në deklarimet e saj publike, Sonja Biserko ka qenë mjaft e aktive kundër idesë së Aleksandar Vuçiçit dhe Hashim Thaçit për ndarjen

Muajt e fundit, në deklarimet e saj publike, Sonja Biserko ka qenë mjaft e aktive kundër idesë së Aleksandar Vuçiçit dhe Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës.

Presidenti serb Vuçiç e quan projektin e tij ndarje me shqiptarët, ndërsa kolegu i tij kosovar Thaçi flet për korrigjim të kufijve dhe bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Presidenti serb në një fjalim para funksionarëve të partisë së tij, të cilin e mbajti së fundi, sulmoi drejtpërdrejtë Sonja Biserkon, duke e radhitur në mesin e armiqve të Serbisë.

Në një intervistë me revistën “Vreme”, Biserko, aktiviste serbe për të drejtat e njeriut, themeluese dhe presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi,  nënvizoi se ajo çfarë kishte thënë Vuçiçi paraqet një kërcënim, por “pas të gjitha përvojave që kam kaluar – dhe kur i kam parasysh të gjitha pushtetet tona – nuk mund të përcaktohem sa është serioz ky kërcënim. Nuk kam më ndjenjë për këtë“.

Biserko mendon se tërbimi i Vuçiçit kundër saj ka të bëjë me dështimin tani për tani të planit për ndarjen e Kosovës dhe me letrën e përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Serbia dhe Kosova dërguar kryediplomates së BE-së, Federica Mogherini, ku shprehet qëndrimi kundër ndarjes së Kosovës.

“Kjo letër në botën e jashtme u prit mjaft mirë dhe gjatë verës është cituar shpesh. Ndonëse nisma për ndarje doli së fundi në sipërfaqe, ajo është “zier” prej së të paktën dy vitesh. Në të vërtetë, Beogradi gjatë gjithë kohës ka kërkuar partner në Tiranë dhe më në fund e ka gjetur: është kryeministri shqiptar Edi Rama. Bisedimet (për ndarjen) filluan para dy vitesh kur Rama ishte në Nish, por këto atëbotë e zbuluan Uashingtoni dhe Londra”, deklaroi Biserko.

Më vonë, shtoi Biserko, idesë për ndarjen e Kosovës iu bashkuan dhe një sërë figurash prominente nga Perëndimi, siç është Wolfgang Petritschi, i cili punon për një zyrë avokatore që lobon për qeverinë serbe, pastaj Tony Blair, ish-ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter, Aleks Soros, por edhe Ivan Vejvoda, Jelena Miliq, Ivan Krastev…

Të gjithë këta emra tërhoqën vëmendjen te projekti i ndarjes. Kjo tani nuk është më marrëveshje mes Thaçit dhe Vuçiçit, përkatësisht Vuçiçit dhe Ramës, por ka edhe konotacion të ri ndërkombëtar. Deri së fundi për këtë nuk ka pasur përkrahje nga bota e jashtme”.