Selimi kërkon Vetting në institucionet e sigurisë: Rasti “Maxhuni” shembulli më i mirë i kapjes së shtetit

Selimi kërkon Vetting në institucionet e sigurisë: Rasti “Maxhuni” shembulli më i mirë i kapjes së shtetit

Lëvizja Vetëvendosje, pas rastit “Maxhuni”, ka reaguar duke e cilësuar si fshehje të krimit nga institucioneve të drejtësisë dhe menaxhmenti i policisë. VV, përveç Vettingut në gjykata dhe prokurori, ka kërkuar Vetting edhe në Polici dhe Agjencinë Inteligjente të Kosovës.

Deputeti i Rexhep Selimi lidhur me rastin Maxhuni, ka thënë se i kanë denoncuar shumë herë rastet e kapjes së shtetit dhe rastet e kapjes së institucioneve me theks të veçantë ato të drejtësisë dhe sigurisë, “por pavarësisht denoncimeve, nganjëherë kapja veç sa është forcuar edhe më shumë me veprimet e krerëve të shtetit të cilët emëronin drejtuesit e këtyre institucioneve”.

Sipas tij, krerët e shtetit kanë ndarë tortën e pushtetit duke u munduar ta mbajnë nën kontroll policinë, gjykatat dhe prokurorinë e shtetit.

“Sot këtu nuk jemi për ta denoncuar një rast të veçantë të izoluar në rastin konkret rastin e krimit A.M., por për diçka më të rëndë, reagimin e institucioneve të drejtësisë dhe menaxhmentit të policisë në mbrojtje të krimit apo më thënë më mirë fshehje të krimit. Skandalet e tilla në Kosovë nuk janë as aksidente, as incidente, por pasoja direket të kapjes së shtetit. Vetë shpërputhja e deklarimeve të policisë dhe prokurorisë në rastin Maxhuni janë dëshmi që këto ndërhyrje janë bërë nga lartë. Ne dyshojmë e qytetarët janë shumë të sigurt që bëhet fjalë për privilegje të të afërmeve të njerëzve që i kanë kapur tash majet e shtetit. Kapësit e shtetit i kanë ndarë mirë hiset e veta në tortën e pushtetit, pra siç e thash i kanë ndarë se cilat institucione jo t’i udhëheqin, por t’i kontrollojnë”, ka thënë Selimi, raporton KP.

Ai shtoi se siguria e qytetarëve të Kosovës kontrollohet nga grupe mafioze të cilët janë brenda dhe jashtë institucioneve dhe të cilët bashkëpunojnë shumë mirë në mes vete.

“Kosovës përveç veting për gjyqësorin dhe prokurorinë, ka nevojë urgjente edhe në polici dhe AKI. Në Polici, drejtësi dhe institucione të tjera të sigurisë ka njerëz të mirë, ka njerëz patriot e heronj por ata mbi kokat e tyre kanë njerëz të padukur në udhëheqje që më shumë i shërbejnë vetvetes, miqve dhe bizneseve të tyre apo edhe sponzorizuesve. Dorëheqja apo në mungesë të përgjegjësisë së tyre morale shkarkimi do të ishte fillim i reformës së nevojshme në drejtësi dhe në organet e sigurisë së Kosovës“, ka thënë ai.

Selimi përmendi procesin e nisur më herët të Vettingut nga AKI për policinë, duke thënë se edhe disa udhëheqës të policisë nuk e këtë kaluar atë proces.

“Pikërisht ai i cili sot udhëheq me AKI-në, sa ka qenë në Policië nuk e patë kaluar verifikimin e sigurisë, pra Vettingun. Çfarë paradoksi, ai person i cili nuk ishte vlerësuar si i denjë për të qenë në polici nga AKI, sot udhëheq AKI-në“, ka thënë ai.

Selimi tha se ka nevojë për reforma shumë të mëdha në Polici dhe AKI, duke nisur me shkarkime.