Rasti i djalit të Shpend Maxhunit goditje për Kosovën në Interpol?

Kosova po pret që muajin e ardhshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe të bëhet pjesë e një organizate të rëndësishme ndërkombëtare –Interpolit.

Kosova po pret që muajin e ardhshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe të bëhet pjesë e një organizate të rëndësishme ndërkombëtare –Interpolit. Një zyrtar i involvuar në procesin e anëtarësimit, në kushte anonimiteti, i ka thënë Gazetës se një dëm të madh këtij procesi ia ka bërë Policia e Kosovës, e cila e shkarkoi nga përgjegjësia djalin e shefit të AKI’së Shpend Maxhunit, të cilit 10 ditë më parë iu gjetën drogë e armë në veturë. Deputeti i LDK’së Anton Quni thotë ajo çfarë ka bërë policia e komprometon procesin e anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare të policisë.

Mobilizimi i Policisë dhe Prokurorisë për ta shfajësuar djalin e Shpend Maxhunit, të cilit 10 ditë më parë i ishte gjetur armë dhe drogë në veturë mund të jetë edhe një shqetësim shtesë në anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Një zyrtar i angazhuar në procesin e Kosovës për pranimin në Interpol i ka thënë Gazetës Express se skandali me shfajësimin e 20-vjeçarit nga Policia, që doli të jetë djali i shefit të AKI’së, mund të jetë edhe një pengesë tjetër që ky institucion i sigurisë të jetë pjesë e Interpolit prej nëntorit.

Ndërkaq, Kosova synon që Policia e saj do të bëhet pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare më 20 nëntor të këtij viti, kur edhe mbahet Asambleja e Përgjithshme në Emiratet e Bashkuara.

Gjetja e armës dhe substancave narkotike te një 20-vjeçar, do të ishte veç një rast tjetër që shkon në procedura të rregullta të Policisë së Kosovës, sikur ai të mos ishte djali i shefit të AKI’së dhe sikur Policia e Prokuroria të mos ndryshonin faktet pas një jave kur një rast i tillë u bë publik nga media.

Bëhet fjalë për Shpëtim Maxhunin, djalin e shefit të AKI’së, Shpend Maxhunit, te i cili me datë 12 tetor, derisa po voziste veturën në pronësi të gjyshit të tij, u gjetën armë pa leje dhe substanca narkotike të llojit marihuanë.

Në raportin policor të ditës kur Policia e kishte ndaluar Shpëtim Maxhunin, raportohej për një të dyshuar, të cilit i ishte gjetur armë e drogë në veturë në Zllatar. Ndërsa kur në media u nxor se ‘i dyshuari’ ishte djali i Shpend Maxhunit, policia sqaroi se as arma e as substanca narkotike nuk ishin të Shpëtimit, por të dy personave të tjerë që ishin me të në veturë.

“Njësia policore gjatë kontrollimit të dyshuarit mashkull K-shqiptar ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me katër fishek dhe një thikë”, thuhej në raportin e para 10 ditëve.

Policia e Kosovës fillimisht nuk e kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurori, derisa kjo u raportua nga mediat. Më pas, institucionet u mobilizuan në "shfajësimin” e djalit të Shpend Maxhunit. Në raportin shpjegues të Policisë, të lëshuar një javë pas rastit, thuhej se kushëriri i Maxhunëve ka deklaruar se arma është e tij, ndërsa personi tjetër që ka qenë në veturë ka marrë përsipër posedimin e substancës.

“Në veturë kanë qenë tre persona, atë e ka drejtuar djali i Shpend Maxhunit, ndërsa  xhaketa me revole ka qenë e Rinorit. Kushëriri i tij Rinori ka deklaruar se xhaketa dhe arma pa leje ishte e tij sipas informacioneve të fundit të cilat i mora. Droga e llojit marihuanë që është gjetur në cigare është gjetur të një person tjetër i cili ka qenë jashtë automjetit, kur është kontrollu ju ka gjet atij”, ka thënë të shtunën zëvendësprokurori i Prokurorisë Publike në Prishtinë, Ibrahim Berisha.

Anton Quni, deputet i LDK’së dhe anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI’së ka thënë sot për Gazetën Express se ndërhyrjet e komprometojnë procesin e anëtarësimit në INTERPOL, ndërsa kërkon nga Inspektorati Policor që sa më shpejt të publikojë të gjeturat lidhur me rastin e djalit të Shpend Maxhunit.

“Çdo ndërhyrje e jashtëligjshme e zyrtarëve shtetëror në punën dhe veprimin e institucioneve dhe organizatave të sundimit të rendit dhe ligjit e komprometon përpjekjen për të qenë anëtare e Interpolit”, ka thënë Quni.

“Në rastin në fjalë  është mirë që Inspektorati Policor i Kosovës sa me shpejt të publikojë të gjeturat nëse është punuar sipas procedurave dhe a janë respektuar ligjet ne fuqi”, ka shtuar ai.

Ai thotë se duhet të sanksionohen raste të tilla për të dëshmuar që Kosova është e denjë që të jetë pjesë e INTERPOL’it.

“Çdo ndërhyrje në procedimin e rastit do të duhej të sanksionohej, nder të tjera edhe për të dëshmuar se jemi të denjë për të qenë pjesë e Interpolit”, ka thënë deputeti i LDK’së.

Lëvizja Vetëvendosje i ka konsideruar të gjitha këto përpjekje të institucioneve të sigurisë për të fshehur të vërtetën për rastin e arrestimit të djalit të Drejtorit të AKI-së Shpend Maxhunit.

Ndërkaq, asnjë nga liderët institucionalë nuk ka komentuar këtë devijm të informatave për rastin e djalit të shefit të AKI’së, që për shumë vjet drejtoi Policinë e Kosovës. 

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë të shtunën se është mirë të pritet derisa të hetohet rasti.

Ndërsa presidenti Hashim Thaçi, i cili ka treguar gjithmonë afërsi me Maxhunin, ka thënë të hënën se do të presin derisa mekanizmat përkatës ta hetojnë rastin, kur është pyetur nga gazetari i T7 për skandalin me djalin e shefit të AKI’së.

“I përcjell të gjitha zhvillimet edhe politike, edhe në aspektin e sigurisë në Republikën e Kosovës. Pres që të gjitha autoritetet përkatëse që kanë përgjegjësi, të shikojnë në hollësi të gjitha zhvillimet dhe ndërkohë ne do të jemi këtu”, është përgjigjur presidenti.