Nevojitet lehtësimi i vizave në mes Maqedonisë dhe Jordanisë

Sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi realizoi takim me ambasadorin e porsaemëruar të Mbretërisë Hashemite

Sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi realizoi takim me ambasadorin e porsaemëruar të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, SH.T. Ismail Isa Ismail Rifaje, i cili e mbulon Republikën e Maqedonisë prej në Ankara, Republika e Turqisë. Në takim ishte i pranishëm edhe deputeti Muhamed Zekiri, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Grupit parlamentar për bashkëpunim me parlamentet e vendeve të Lindjes së Afërme dhe të Mesme.

Kryetari Xhaferi që në fillim theksoi se, edhe pse marrëdhëniet diplomatike janë vendosur qysh në vitin 2000, Republika e Maqedonisë akoma nuk ka akredituar ambasador në Jordani, dhe kjo e vështirëson mundësinë për realizimin e vizitave të ndërsjella në nivele të ndryshme dhe mundësinë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar më intensiv, që për fat të keq është në nivel shumë të ulët dhe të pakënaqshëm. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë e theksoi rëndësinë e diplomacisë parlamentare e cila është më pak e ngarkuar me procedura protokollare dhe apeloi që parlamentarët e të dy vendeve, nëpërmjet Grupeve për bashkëpunim ta vendosin dhe ta avancojnë komunikimin e ndërsjellë dhe në të njëjtën kohë shprehu gatishmëri që si kryetar i Kuvendit ta inkurajojë këtë bashkëpunim.

Ambasadori i Mbretërisë së Jordanisë, Sh.T. Ismail Isa Ismail Rifaje falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe mundësinë për realizimin e takimit me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe shprehu gatishmëri që gjatë mandatit të vet të bëjë përpjekje serioze për inicimin e konsultimeve politike të ndërsjella të cilat do të ishin një bazë nismëtare për fillimin e bashkëpunimit në shumë fusha si ekonomi, këmbim tregtar, turizëm dhe po ashtu e nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sektorit të sigurisë.

Ndërësa deputeti Muhamed Zeqiri theksoi nevojën për lehtësimin e regjimit të vizave ndërmjet dy vendeve, diçka që do të kontribuonte për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik por gjithsesi edhe bashkëpunimit turistik.

Në fund, bashkëbiseduesit u pajtuan ta shfrytëzojnë autoritetin e vet si përfaqësues politik të vendeve të tyre, të japin kontribut në nxitjen dhe thellimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale.


Warning: Use of undefined constant php - assumed 'php' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /home/genstilc/domains/rtvaldi.com/public_html/footer.php on line 48