Haradinaj: Roli konstruktiv i Francës i domosdoshëm në procesin e liberalizimit të vizave

Ramush Haradinaj, priti në takim Drejtoreshën për Evropën Kontinentale të Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Florence Mangin.

Ramush Haradinaj, priti në takim Drejtoreshën për Evropën Kontinentale të Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Florence Mangin.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Drejtoreshën për Evropën Kontinentale të Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Florence Mangin.

Në këtë takim, Kryeministri Haradinaj, e ka njoftuar drejtoreshën Mangin për prioritetet e qeverisë në zhvillimin ekonomik, forcimin e rendit dhe ligjit, angazhimin e institucioneve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë anëtarësimin në INTERPOL.

“Duke qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare, Kosova bëhet partnere në luftimin e krimit transnacional dhe i kontribuon paqes në rajon dhe në botë”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, gjithashtu e informoi drejtoreshën Mangin për të arriturat e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave si dhe e quajti sukses anëtarësimin e Kosovës në organizatën Frankofone, duke theksuar se mbështetja e Francës është e një rëndësie të veçantë për vendin tonë.

“Franca ka luajtur rol konstruktiv në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës, andaj populli ynë është përherë falënderues për ndihmën e madhe të këtij shteti mik. Në këtë etapë të konsolidimit ndërkombëtarë të vendit, ndihma e Francës është e nevojshme, veçmas në proceset integruese të Kosovës”, tha Kryeministri Haradinaj, duke kërkuar thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushate e interesit të të dyja shteteve, veçmas në fushën e ekonomisë.

“Kosova e meriton liberalizimin e vizave dhe ka përmbushur të gjitha obligimet e saj. Andaj, roli konstruktiv i Francës në këtë proces është i rëndësishëm. Me liberalizimin e vizave për Kosovë, vendet europiane fitojnë një partner më shumë, fitojnë një konsumator më shumë në ekonominë e tyre”, tha Kryeministri Haradinaj.

Nga ana e saj, Drejtoresha për Evropën Kontinentale të Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Florence Mangin, e ka përgëzuar Kryeministrin Haradinaj për punën e mirë që po e bën dhe për reformat e gjithmbarshme në vend, duke e konfirmuar mbështetjen e Francës edhe në të ardhmen.

Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert.