SHBA, bashkëpunim apo rivalitet pas zgjedhjeve

Relievi politik ndryshoi këtë javë në Uashington pas rezultatit të zgjedhjeve për Kongres.

Relievi politik ndryshoi këtë javë në Uashington pas rezultatit të zgjedhjeve për Kongres. Demokratët e opozitës kanë fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa republikanët kanë forcuar kontrollin në Senat. Rezultati nga shumë analistë shihet si një vlerësim i ndarë i elektoratit për udhëheqjen e presidentit Donald Trump.

Presidenti Trump foli dje në Shtëpinë e Bardhë për mundësinë e bashkëpunimit me demokratët, të cilët tani kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve.

“Dua të shoh bashkëpunim dypartiak. Dua të shoh unitet. Mendoj se shanset janë të mira, ndoshta jo në çdo temë, por gjithsesi ekzistojnë shanse të mira për bashkëpunim”.

Presidenti Trump i quajti meritë të tij fitoret e republikanëve në Senat: “Mendoj se rezultatet që kam dëgjuar dhe besoj se do të konfirmohen, dëshmojnë se njerëzit më pëlqejnë mua dhe punën që po bëj”.

Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi la të hapur mundësinë për bashkëpunim me presidentin mbi kujdesin shëndetësor dhe tema të tjera.

“Do të përpiqemi për bashkëpunim dypartiak. Besojmë se e kemi për detyrë të identifikojmë pika të përbashkëta aty ku është e mundur. Aty ku është i pamundur bashkëpunimi, ne do t’u përmbahemi parimeve tona”.

Demokratët shprehen të kënaqur me rezultatet në Dhomën e Përfaqësuesve, por të zhgënjyer nga humbjet në Senat. Ish-ligjvënësi Patrick Murphy foli në emisionin e Zërit të Amerikës, Plugged In: “Nuk ishte një valë e madhe ndryshimi siç ishte parashikuar. Kjo dëshmon se njerëzit nuk votojnë më së shumti për temat, por lidhur me Presidentin Trump”.

Pas zgjedhjeve të së martës, është i paqartë kursi që do të marrë politika në Uashington, thotë analistja Karen Tumulty:

“Kemi dëgjuar një vendim të përzier. U duk sikur dallga blu ndeshi në murin e kuq. Mendoj se aleatët e Amerikës nëpër botë do ta kenë shumë të vështirë të kuptojnë çfarë po ndodh përveçse do të shohin ngecje të përsëritura në Kongres”.

Analisti John Fortier thotë se nuk duhet të mendohet si i pamundur një farë bashkëpunimi mes presidentit dhe demokratëve: “Ka gjëra që mund të arrihen me bashkëpunim mes demokratëve dhe republikanëve. Është e vështirë pasi të dyja palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta. Megjithatë ka gjëra që mund të realizohen, por jo agjenda e presidentit”.

Por presidenti mund të stepet nëse demokratët hapin procese hetimore mbi Shtëpinë e Bardhë, thotë politologia Molly O’Rourke: “Do të ndryshojnë shumë gjërat në presidencën Trump tani që demokratët kanë Dhomën e Përfaqësuesve, e cila ka mundësinë ta sfidojë presidentin në agjendën legjislative, por edhe në mënyrën si udhëhiqet administrata”.

Pas zgjedhjeve për Kongres, Presidenti Trump duket edhe se ka marrë zemër, por edhe sikur është vënë përballë një sfide të re. Por ai duket i gatshëm për dy vitet e fundit të mandatit të tij që besohet se do të sjellin beteja të forta politike.