• E mërkurë / Apr-24 20:31
  • Kontakt

Pacolli flet pas dështimit në INTERPOL: Nuk ka fituar Kosova por e keqja

Kosova sot ka dështuar të bëhet anëtarja më e re e INTERPOL-it.

Kjo pasi që nuk u arritën dy të tretat e votave të shteteve anëtare të kësaj organizat.

E pas këtij dështimi, në një konferencë për media ka folur kreu i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli.

Sipas tij, sot nuk ka fituar as Kosova as Serbia, por e keqja.

Ai thotë se institucionet e Kosovës kanë bërë mjaft punë në drejtim të anëtarësimit në INTEPOL, mirëpo se e njëjta nuk është shpërblyer.

“Sot nuk ka fitues, nuk ka fitu as Serbia, por mund të them se i vetmi fitues sot është e keqja. Më vjen keq për punët dhe angazhimet që i kemi bërë. Është bërë një punë e mrekullueshme dhe një punë e madhe, mirëpo kjo sot nuk është shpërblyer. Është vështirë në këto kushte të sigurohen dy të tretat. Besoj se nuk duhet të dekurajohemi, dhe kërkoj unitet nga spektri politik”, ka thënë Pacolli.

Pacolli e la fajtore edhe Serbinë për dështimin dhe rezultatin e sotëm të Kosovës në INTERPOL.

“Dy shtete nga Oqeania u anëtarësuan ndërkaq që Kosova jo, Serbia bëri një luftë të pamëshirshme me të gjitha mjetet. Ne na mbetet që të jemi konstruktiv dhe t’i japim rëndësi të madhe dialogut.”, tha ai.

Ndërkohë, nga deputetë të shumtë të opozitës është kërkuar edhe shkarkimi i ministrit Pacolli dhe të gjithë atyre që ata konsiderojnë se janë përgjegjës për dështimin e sotëm