Zaev: Debati për amendamentet është i dobishëm dhe konstruktiv, Marrëveshja e garanton të ardhmen e Maqedonisë

Kryeministri Zoran Zaev në Lisbonë, në kuadër të vizitës dyditëshe në Portugali dhe pjesëmarrjes së tij në Kongresin e PES-it, duke u përgjigjur në py

Kryeministri Zoran Zaev në Lisbonë, në kuadër të vizitës dyditëshe në Portugali dhe pjesëmarrjes së tij në Kongresin e PES-it, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për disa mediume të huaja shprehu bindje se procesi inkluziv në Parlament dhe debatet publike do të arrijnë të sigurojnë shumicë prej dy të tretave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese të cilat janë obligim nga Marrëveshja e Prespës.

“Deri më tani siç lëvizin gjërat, përmes një procesi interaktiv në vetë Parlament, besoj se do të mblidhen forca të sigurohet shumicë e dy të tretave siç u sigurua mu në fillim, në mënyrë që të hapen ndryshimet kushtetuese. Debati publik në Parlament është mjaft konstruktiv, cilësor dhe besoj se edhe përmes atij qytetarët do të marrin vesh për të gjitha hollësitë nga vetë Marrëveshja me Greqinë, por edhe parlamenti do të gjejë mënyrë si të mbledhë fuqi dhe ta garantojë të ardhmen e Republikës së Maqedonisë. Sepse përfundimisht me këtë Marrëveshje, ndërkaq edhe paraprakisht me Marrëveshjen me Bullgarinë, ne i mbyllëm problemet tona bilaterale, të cilat i patëm me fqinjët. Po bëhemi vend normal, vend evropian, ku së bashku me reformat, shpresojmë, jemi të bindur se me të vërtetë do të jemi vendi i ardhshëm i tridhjetë anëtar i NATO-s dhe në qershor të vitit 2019, do t’i fillojmë negociatat me hapjen e kapitujve për Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Zaev, kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp.

Në pyetjen e mediumeve për ikjen dhe sjelljen e kryeministrit të kaluar, Nikolla Gruevski, Zaev tha se në pajtim me standardet dhe konventat ndërkombëtare Gruevski duhet të kthehet për vuajtje të dënimit në Maqedoni. Ai shfaqi shpresë se Hungaria do t’i shqyrtojë vendimet dhe do ta kthejë për ta vuajtur dënimin.

“Në Maqedoni, një nga reformat më të fuqishme është reforma në jurisprudencë, i tërë sistemi juridik është nën kontroll të ashpër dhe monitorim të Komisionit evropian dhe BE-së përmes një procesi transparent, është i qartë dënimi i Nikolla Gruevskit me aktvendim fuqiplotë, i cili ishte dhënë nga gjykata. por, dhënia e azilit nga ana e Hungarisë për ne është me të vërtetë e papranueshme, sepse sipas asnjë ligji ndërkombëtar, konvente ndërkombëtare, madje edhe sipas legjislaturës së Hungarisë, nuk është i lejuar azili për njeriun, i cili tashmë është i dënuar me aktvendim fuqiplotë. Për ne kjo është ndjenjë mjaft e hidhur prë shkak se nga një vend anëtare edhe e BE-së edhe e NATO-s, të marrim sinjal të këtillë si vend kandidat është me të vërtetë e pakëndshme. për ne, sundimi i së drejtës është shenjtëri, për ne vlerat evropiane janë të shenjta. Ne shpresojmë në ato vlera evropiane dhe besojmë se me të vërtetë Hungaria do t’i shqyrtojë vendimet e veta, do t’u përgjigjet kërkesave tona dhe do ta kthejë Nikolla Gruevskin për vuajtje të dënimit”, tha kryeministri.

Ai shtoi se Evropa din të na thotë, mjaft hapur dhe qartë, kur diçka nuk shkon në Maqedoni. Ashtu duhet të jetë edhe në të gjitha vendet e tjera evropiane.

“Komisioni evropian dhe shumë vende të tjera evropiane tashmë reaguan, unë me të vërtetë shpresoj Hungaria miqësore se do të veprojë ashtu, siç parashohin mes tjerash, Konventat ndërkombëtare. E ajo është, ta pranojë kërkesën tonë për ta dorëzuar apo ekstraduar Nikolla Gruevskin në Maqedoni”, shtoi kryeministri Zaev, qëndron në kumtesë.