“Herët e para” të Ilir Metës si thyerje e tabuve të një Presidenti

Ishin thuajse të gjithë të sigurt se Ilir Meta do ishte një President ndryshe nga paraardhësit e tij.

Kjo pritshmëri që në fakt deri më tani nuk zhgënjen aspak, vinte për shkak të vetë të karrierës politike të Metës, i cili gjithnjë ka ditur të jetë gjithnjë suprizues me lëvizjet e tij, stabilizues kur tensioni arrinte kulmin,  mjeshtër me lëvizjet e tij në “shahun politik” duke  ngritur një parti nga hiçi për ta kthyer në një ndër forcat politike më ndikuese tek dy partitë e mëdha, por mbi të gjitha mbështës i parimeve që shpesheherë i kanë kushtuar jo pak në politikë.

Meta ka ditur gjithnjë ta qendërzojë vëmendjen tek vendimmarrjet, diskutimet apo thjesht takimet e tij, kjo edhe kur ishte Kryeministër në moshë fare të re, edhe kur sapo krijoi LSI-në,  edhe në kohën kur kjo parti kishte vetëm 4 deputetë në Parlament, qoftë edhe në detyrën e fundit para se të bëhej President, si kryetar Kuvendi. Por ajo që e bën gjithnjë Metën të dallueshëm, si nga kolegët politikanë kur garonte bindshëm në betejën politike me “bajlozët” Berisha e Nano e deri tek vendimet e tij tani si President, është siguria për të shkelur në terrene të “paprekura” më parë me vendosmëri dhe kurajo. Për këtë mjafton të analizojmë kohën aktuale kur ai mban postin e Presidentit, duke diskutuar mbi “herët e para” të Ilir Metës që e dallojnë ata bindshëm nga parardhësit e tij në detyrën e lartë të kreut të shtetit.

Kështu ditën e djeshme me një vendimmarrje historike, Meta ktheu mbrapsht ligjin e Qeverisë mbi buxhetin e vitit 2019. Duhet nënvizuar se ky akt është i pari për nga natyra e tij në historinë e këtyre 28 viteve. “Duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij”, thuhej në dekretin e Presidentit.

Një vendim ky sa surprizues aq dhe kurajoz, pasi në kushtet kur ndodhet nën “tytën” e Rilindjes në pushtet në të gjitha vendimarrjet e tij, Meta sërisht zgjodhi rrugën e vështirë. Mund ta kishte shumë më të lehtë kalimin e buxhetit dha ta mbante ulur tensionin me mazhorancën, duke ju shmangur kështu akuzave të skutave të purpurta që me ushtrinë e tyre virtuale e lakenjtë realë në politikë nuk ndalin aktivitetin e përditshëm propagandistik. Në fakt kthimi mbrapsht i buxhetit është një ndër lëvizjet me brilante të Presidentit, i cili tani e ka lënë me karta të zbuluara Ramën para studentëve. Edhe nëse këta të fundit do ti shkonin në takim me një përfaqësi, Kryeminsitri do justifikohej për disa nga kërkesat e studentëve duke pohuar se ato nuk mund të realizohen më këtë vit pasi buxheti ishte kaluar. Por pikërisht kthimi mbrapsht nga Presidenti i buxhetit e bën nul këtë arsyetim të pritshëm të Ramës, i cili nuk ka më asnjë barrierë për t’u mbrojtur mbi kërkesat e palëkundshme të studentëve. Presidenti me vendimin e tij i dha rrugë zgjidhjeje kërkesave të studentëve, duke mundësuar që dialogu fals që Rama kërkon nga rrjeti social, të përktthet në vepra të prekshme për arsimin.

E megjithatë kthimi mbrapsht i buxhetit nuk është e vetmja “herë e parë” e Ilir Metës. Vetëm pak kohë më parë në jetën politike e gjerësisht në media bëri bujë vendimi i Presidentit i cili nuk dekretoi Sandër Lleshaj si ministër të Brendshëm. Një shkelje e Kushtetutës, të cilin Kryeministri e cilësonte si një “vogëlsirë” që mund të zgjidhej po nga Presidenti, e bëri Metën të kryente veprimin që askush më parë nga Presidentët e vendit nuk e kishte ndërmarrë. Refuzimi i dekretit nga Meta ishte padyshim vendimi më i papritur që nuk la kënd pa e komentuar e folur për të. Në cdo studio televizive për ditë me rradhë nuk debatohej për temë tjetër, kthimi mbrapsht për herë të parë i një dekreti që vinte nga Kryeministri ishte një vendim që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Madje as kur në Presidencë ishte Moisiu e në Kryeministri Berisha, as kur në Presidencë ishte Topi e në Kryeministri po Berisha e madje as kur në Presidencë së fundmi ishte Nishani e në Kryeministri Rama.

Me bindjen e palëkundur dhe në mbështetje të Kushtetutës, e cila në frymën e saj nuk lejon që një ushtarak aktiv të ishte ministër i mbrojtjes apo ministër i brendshëm, Meta kreu aktin e tij, duke vërtetuar edhe një herë se “herët e para” nuk janë utopi për Presidentin e Republikës.  Madje më e bindur ishte sjellja e Metës kur Rama dhe të tijët tentuan ta cilësonin këtë si një akt politik të Presidentit. Zgjidhja e situatës erdhi vetëm kur pushteti u zbyth nga antikushtetuetshmëria dhe dekretimi shkoi në linjat e ligjit themeltar të vendit. Lleshaj u lirua si Gjeneral-Brigade dhe vetëm më pas mori “ok”in e Metës për tu bërë ministër. Edhe një herë Ilir Meta tregoi se posti i Presidentit nuk është thjesht honorifik.

Por “herët e para” të Metës nuk lidhen vetëm me vendimmarrje të mëdha si këto të lartpërmendurat. Në detyrën e tij si President të cilën e ushtron prej  thuajse 1 viti e gjysmë, Meta ka bërë vizita risi në disa qyteza ku banojnë shqiptarë në shtetet fqinje. Edhe këto vizita përfshihen në “herët e para” të Ilir Metës që thyejnë tabutë e mëparshme të krerëve të shtetit shqiptar. Dallojmë këtu dy vizitat e fundit të Presidentit në kuadër të festave komtëtare të nëntorit, ajo në Mexhitli, një fshat në Manastir të Maqedonisë dhe në komunën e Rozhajës në Mal të Zi. Të dyja këto zona të banuara me shumicë shqiptare nuk ishin vizituar asnjëherë më parë nga Presidentët shqiptarë.

Në vazhdim nuk do ishte fare e pabesueshme që koleksioni i “herëve të para” të një Kryetari Shtetit në Shqipëri  të shtohej edhe më shumë nën presidencën e Metës. Një gjë është e sigurt: Ilir Meta di si të thyejë tabu, jo vetëm si politikan por edhe si President! / Gëzim Saliu -Standard