Stoltenberg telefonon Haradinajn: Do të rishikohet angazhimi i NATO-s në Kosovë

Sekretari Gjeneral i NATO-së, Jens Stoltenberg, i ka telefonuar përsëri kryeministrit të vendit, Ramush Haradainaj, me të cilin ka folur...

Sekretari Gjeneral i NATO-së, Jens Stoltenberg, i ka telefonuar përsëri kryeministrit të vendit, Ramush Haradainaj, me të cilin ka folur për tranzicionin e FSK-së në Ushtri.

Përmes një njoftimi për media nga NATO, bëhet e ditur se Stoltenberg e ka njoftuar Haradinajn se Këshilli i Aleancës së Atlantikut të Veriut ka pasur diskutime lidhur me miratimin e ligjeve për transformimin e FSK-së.

“Sekretari Gjeneral e ka njoftuar Haradinajn se me evolimin e mandatit të FSK-së, do të ri-konsiderohet edhe niveli i angazhimit të NATO-së me këtë Forcë në vitin e ri”, thuhet në njoftim.

Tutje, aty bëhet e ditur se KFOR-i do të vazhdojë të sigurojë paqen dhe stabilitetin në rajon.

“KFOR-i operon në bazë të mandatit të OKB-së dhe nuk do të preket nga ligjet mbi transicionin e FSK-së”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Kujtojmë, se ishte pikërisht Stoltenberg, ai që pak momente pas miratimit të ligjeve për FSK-në, kishte thënë se ky është një hap  i gabuar i Kosovës.