Molliqaj reagon ndaj Albin Kurtit: Është frikacak, e jep UÇK-në për pushtet

Molliqaj reagon ndaj Albin Kurtit: Është frikacak, e jep UÇK-në për pushtet

Kërkesat e Albin Kurtit për Hashim Thaçin, që t’i dorëzohet Gjykatës Speciale, kanë nxitur reagimin e deputetit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Molliqaj në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Vetëvendosja dikur nuk pranonte që Specialja t’i arrestonte luftëtarët e UÇK-së.

Por sipas tij, këto qëndrime tash kanë ndryshuar. Molliqaj shkruan se sipas Albin Kurtit, “Gjykata Speciale bën, nëse e arreston Thaçin”.


“Ku kemi dalluar asokohe si VV nga LDK dhe një pjesë e shoqërisë civile rreth Gjykatës Speciale është pikërisht kjo: ne thoshim se kriminelët e korruptuar që e kanë kapur shtetin duhet t’i dënojnë gjykatat tona për këto vepra; thoshim po ashtu se drejtësia e çlirimi nuk mund të na vijnë nga jashtë, ato janë autentike; një Gjykatë e veçantë vetëm për Kosovën, për më tepër një etnike është e papranueshme në secilin rast. Pavarësisht kush mund te arrestohet. Madje herë pas here thoshim se pushteti i VV-së nuk do t’i dorëzojë çlirimtarët. Sot kanë ndërruar yjet, tjetër këngë këndohet. Gjykata Speciale, varet…Nëse e arreston Hashim Thaçin edhe bën”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Ish-sekretari i Vetëvendosjes tutje e ka cilësuar Albin Kurtin si “frikacak”.

Ka thënë se lideri i VV-së “po punon me vegla dhe po instrumentalizon çdo gjë”.

“Duke i personalizuar marrëdhëniet politike deri në obsesion, Albini është zhytur e ka humbur brenda orbitës së kundërshtarëve, duke përvetësuar mënyrat e tyre. Sikur Hashimi, edhe ky punon me vegla e instrumentalizon çdo gjë. Sikur Hashimi, edhe ky është frikacak që nuk ka pranuar të marrë mbi vete asnjë rrezik. Asnjë! Sikur Hashimi, edhe ky zgjohet në mëngjes me dy fjalë: unë dhe historia”, shkruan Molliqaj.

Madje sipas deputetit të PSD-së, Albin Kurti është i gatshëm “ta japë UÇK-në, për pushtet dhe luftë të brendshme”.

“Parimi është i tillë vetëm kur është i verbër karshi emrave konkretë. Parimet dhe e vërteta nuk kanë karakter primordial. Ato nuk mund të lidhen për kërthizën e askujt, as te Albinit. Ata që e japin UÇK-në në kuadër të luftës së brendshme politike, e duan pushtetin dhe jo Kosovën. E duan veten dhe jo UÇK-në. Prandaj, nuk janë as parimorë e as të vërtetë. Rroftë baba, poshtë UÇK-ja! Ky ishte mësimi. Secili subjekt është i përkohshëm, edhe Albini shkoi”, përfundon postimi i Dardan Molliqajt.

Ndryshe, një ditë më parë nëpërmjet një postimi të gjatë, lideri i VV-së, Albin Kurti i kërkoi presidentit Thaçi të dorëzohet në Gjykatën Speciale.