Maqedonia e Veriut, Ahmeti: Përfunduam një konflikt gati 3 dekadësh, që na mbante peng

Maqedonia e Veriut, Ahmeti: Përfunduam një konflikt gati 3 dekadësh, që na mbante peng

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, një ditë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese për emrin e Maqedonisë, ka thënë se ky është fundi i konflikteve, i mosmarrëveshjeve, i paqartësive.

Ahmeti në një adresim për qytetarët, ka thënë se janë angazhuar gjatë për të ardhur deri tek kjo ditë, duke mohuar shumë pritje tjera.

“Lamë anash kërkesa të shumta, nuk adresuam nevoja të tëra, vetëm e vetëm për të arritur deri te kjo ditë që e përfundon një konflikt gati tre dekadësh që na mbante peng”, ka thënë ai.

“Janari i vitit 2019 shënon 100 vjetorin e nisjes së Konferencës Paqësore të Parisit me të cilën tentoheshte t’i vihet fund Luftës së Parë Botërore dhe rendit të atëhershëm botëror. Kjo konferencë asnjëherë në të vërtetë nuk e përfundoi Luftën e Parë Botërorë dhe nuk na mësoi se si bëhet paqja pasi që luftërat dhe konfliktet vijuan për një shekull të tërë. Pasojat e Parisit 1919 ndjehen edhe sot, në veçanti në Evropën Juglindore, edhe akoma më të theksuara janë tek kombet e vogla mbi të cilat u veprua padrejtësisht”, ka thënë Ahmeti.

Dje, më 11 janar të vitit 2019, 81 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë e nisën përfundimin e Konferencës Paqësore të Parisit.

“Lindi ditë e re, me perspektivë të qartë dhe të palëkundur euroatlantike, jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin. Ne u angazhuam gjatë për të ardhur deri tek kjo ditë, mohuam shumë pritje tjera, lamë anash kërkesa të shumta, nuk adresuam nevoja të tëra, vetëm e vetëm për të arritur deri te kjo ditë që e përfundon një konflikt gati tre dekadësh që na mbante peng”, ka thënë ai.

Por sipas Ahmetit, ky nuk është fundi, është vetëm fillimi.

“Ky është fundi i konflikteve, i mossmarëveshjeve, i paqartësive, i paparashikueshmërisë, ky është fillimi i fundit të pasojave Parisiane nga viti 1919. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët, çdo njërin votues, secilin aktivist që na deleguan besimin për të prirë, për të vendosur. Përgëzoj bashkëpunëtorët dhe bashkëveprimtarët, por edhe partnerët qeverisës, bashkë me deputetët e opozitës që na u bashkangjitën në këtë ecje të vështirë, por të vendosur dhe të drejtë”, ka thënë Ahmeti. “Mirënjohje e thellë ju takon edhe miqve tanë në Bruksel, Washington, Berlin, Paris, Londër, Romë, Vjenë dhe në të gjitha vendet aleate të komunitetit euro-amerikan sepse këtë shteg e bëmë bashkë, këtë lartësi e ngjitëm dorë për dore dhe e arritëm majën. Ne vetëm e nisëm përmirësimin e gabimeve të Parisit 1919, rradhën e ka Kosova dhe Serbia. Ky rajon, prej nga nisi orteku shkatërrimtar shekullor më 1914, duhet edhe ta përfundon”, ka shtuar më tej.

Ahmeti ka thënë tutje se është koha për zgjidhje, është koha për paqe, është koha për NATO dhe për Shtetet e Bashkuara të Evropës.


Warning: Use of undefined constant php - assumed 'php' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /home/genstilc/domains/rtvaldi.com/public_html/footer.php on line 48