Juventusi i bashkohet garës për Muriqin, dërgon një vëzhgues në Turqi

Forma e shkëlqyeshme e Vedat Muriqit ka tërhequr interesimin e top-skuadrave evropiane.

Pas Tottenhamit, Napolit dhe Lazios, një gjigant tjetër botëror është në kërkim të sulmuesit kosovar.

Mësohet se klubi italian Juventus do të dërgojë një vëzhgues në derbin Galatasaray-Fenerbahçe për Vedat Muriqin dhe një raport të detajuar do t’i paraqitet menaxherit Sarrit, përcjell lajmi.net.

Fenerbahce me siguri nuk mendon të shesë deri në fund të sezonit Muriqin. Kontrata e lojtarit nuk përfshin klauzolën e lëshimit.

Nëse shitet futbollisti nga Prizreni, Çaykur Rizespor do t’i jepet një pjesë 15 për qind e fitimit nga shitja.

Vedat Muriqi ka luajtur 90 minuta në çdo ndeshje të Fenerit këtë sezon (5), duke shënuar tre gola dhe duke dhënë një asistim.

Me Kosovën, ai ka realizuar tre gola dhe ka dhënë dy asistime në pesë ndeshjet e para të kualifikuesve të Kampionatit Evropian 2020.