Prishtina demolon Llapin në udhëtim dhe i afrohet kryesuesve

Prishtina ka marrë një fitore në udhëtim te Llapi duke triumfuar 1-4.


Ndeshja nisi me dy skuadrat që luanin kujdesshëm duke mos rrezikuar shumë deri në minutën e 25-të, kur mysafirët kaluan në epërsi.

Ishte mesfushori Endrit Krasniqi që pas një solo depërtimi shënoi gol të bukur për 0-1.

Në minutën e 32-të kryeqytetasit arritën të shënonin edhe golin e dytë në këtë sfidë, kur kësaj radhe realizator ishte Ahmet Haliti.

Me epërsinë e dyfishtë të prishtinasve u mbyllën 45 minutat e para në këtë takim.

Por me të filluar pjesa e dytë, ekipi i drejtuar nga Armend Dallku gjeti edhe golin e tretë, ku shënues ishte Ahmed Januzi që u asistua nga Leonit Abazi.

Ishte minuta e 70-të e ndeshjes kur kryeqytetasit festuan për herë të katërt në këtë takim pas golit nga kapiteni Armend Thaqi.

Krejt çfarë arritën të bënin vendasit ishte goli i nderit i shënuar nga i riu Kastriot Selmani 15 minuta para fundit të ndeshjes.

Deri në fund llapjanët tentuan të shënonin edhe tjetër gol, por mbrojtja e Prishtinës nuk u thye më.

Kësisoj bardhekaltërtit nga kryeqyteti morën tri pikë të arta në udhëtim dhe tani ndodhen në pozitën e katërt me 27 pikë, tri më pak se liderët Ballkani e Gjilani.

Ndërkohë Llapi mbetet e pesta në tabelë me 24 pikë të tubuara.