Kurti për gazetën gjermane: Unë si kryministër nuk e kam miratuar marrëveshjen për hekurudhat

Kurti për gazetën gjermane: Unë si kryministër nuk e kam miratuar marrëveshjen për hekurudhat

Kryeministri i vendit Albin Kurti, në një intervistë për presitigjozen gjermane “Süddeutsche Zeitung”, ka fajësuar sërish qeverinë e kaluar për arritjen e marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë për lidhjen hekurudhore dhe atë të autostradave në Mynih.

Kurti ka deklaruar se vetë ai personalisht, por as ministri i Infrastrukturës Lumir Abdixhiku nuk e kanë miratuar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, përcjell Periskopi.

“Çfarë është nënshkruar është një deklaratë për shprehje të synimit, pa shumë detaje. Sigurisht na duhen më shumë rrugë dhe vija hekurudhore. Por negociatat janë zhvilluar nga qeveria paraprake, ne nuk kemi qenë të përfshirë. Kam rezerva, mes tjerash lidhur me çështjen nëse financimi do të ishte në pajtim me Kushtetutën. Versionin final (të marrëveshjes) nuk e kam parë. As ministri i infrastrukturës, as unë si kryeministër nuk e kemi miratuar nënshkrimin”, ka deklaruar Kurti.

Duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve , Kurti ka deklaruar se ky projekt ka dështuar, por se ideja nuk ka vdekur.

“Ky projekt ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur. Duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhjet e tilla me shkëmbim territori mund të hapin Kutinë e Pandorës”, ka theksuar Kurti.

Pyetjes se  nëse Kosova hyn në BE në vitin 2030,  cili flamur do të valojë mbi ndërtesën e qeverisë në Prishtinë, Kurti nuk është përgjigjur direkt, duke thënë se do të jetë ai evropian.