Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka refuzuar dhe mohuar çdo gjë që është bërë në Kosovë, madje edhe bashkëpunimin.
Limaj ka thënë se Albin Kurti po i vardiset shumë presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK’së, Kadri Veselit.
Ai ka kujtuar kohën kur Kurti e quante Ramushin Haradinaj si kryeministër me qira, e tani thotë se vet ai është bërë kryeministër me qira i LDK’së.
“Refuzim, asnjë forme të bashkëpunimit. Kjo që po bën Albini sot është vardisje, pas Hashimit dhe Kadrisë. Albini ka me ia marrë PDK-së, Hashimin. Kurti do t’i shkoj prapa presidentit, sepse kështu është përcaktuar me Kushtetutë. Ramushit i thoshte kryeministër me qira. Haradinaj s’ka qenë kryeministër me qira. Tash ne mund t’i themi se a je kryeministër me qira i LDK-së”, ka theksuar Limaj.
Limaj ka thënë se nuk mund ta paragjykojë qeverisjen e Albin Kurtit, por mund të flasë për kauzat me të cilat ka ardhur Kurti në pushtet.
“Ndryshimin nuk mund të ia mohosh askujt, por duhet me mirëprit. Mirëpo, kur ju bëni një transformim të tillë, së paku duhet t’i kërkoni njerëzve që i ka nxjerrë njerëzit në rrugë për flamurin lara-lara. Deri vjet të njëjtit deputetë nuk e kanë respektuar himnin dhe flamurit. Ndryshimi do të duhej me ndodhë në opozitë. Është hipokrizi sjellja e tyre. Flamurin dhe shtetin nuk mund ta duash vetëm kur je në pushtet”, ka shtuar Limaj në RTK.