Thyhet akulli, koalicioni i parë parazgjedhor shqiptaro-maqedonas

Në Maqedoninë e Veriut, në këto zgjedhje me shumë gjasa do të kemi koalicionin e parë zyrtar parazgjedhor mes një partie shqiptare dhe një maqedonase.

Pra bëhet fjalë për LSDM-në e Zoran Zaevit dhe Lëvizjen Besa të Bilall Kasamit, për të cilat Express mëson se do të bashkojnë forcat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë të parapara të mbahen më 12 prill.

Ditëve të kaluara ka pasur takime mes eksponentëve të LSDM-së dhe Lëvizjes Besa, por që kanë vendosur këto takime t’i bëjnë larg syve të opinionit.

Ndërkaq burime të brenda LSDM-së bëjnë me dije se gjatë kësaj jave do të ketë takim të krerëve të dy subjekteve, pra Bilall Kasamit dhe Zoran Zaevit,

Sipas burimeve, kreu i Besës Bilall Kasami pritet që të në muajin e ardhshëm të shkojë në Amerikë, nga ku flitet se do të bëj zyrtarë koalicionin me LSDM-në përmes një video mesazhi.

LSDM-ja në zgjedhjet e kaluara parlamentare morri mbi 50 mijë vota shqiptare, ndërsa këtë herë synon që së bashku me partitë e të gjitha komuniteteve të tjera, përfshi këtu edhe partitë shqiptare, të rrisë larramaninë e votuesve të saj.

Express-it madje i thanë se LSDM-ja ka zhvilluar bisedime edhe me PDSH-në e Menduh Thaçit, për të cilin ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim por pa të në listë për deputetë. Sipas informatave jozyrtare, kjo ofertë e LSDM-së nuk i ka konvenuar kreut të PDSH-së. Megjithatë, siç mësohet, PDSH-ja dhe LSDM-ja kanë bërë marrëveshje për bashkëpunim pas zgjedhjeve.

Megjithatë, vendimi final për dorëzimin e listave të kandidatëve në KSHZ ka edhe më shumë se 20 ditë, që lë të hapur mundësinë për kalkulime të tjera mes partive politike në vend.

Koalicioni i vetëm zyrtarë deri tani është ai mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Ndërkaq edhe Vesel Memedi i RDK-së po tenton që përmes debateve publike të afrojë PDSH-në dhe Lëvizjen Besa për bashkëpunim, por si duket këta të fundit janë joshur nga oferta e Zaevit për bashkëpunim.