Qeveria Kurti i reagon Endrit Shalës për reciprocitetin

Qeveria Kurti i reagon Endrit Shalës për reciprocitetin

Pas deklarimit të djeshëm të ish ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, se vendimin për t’iu referuar shtetit tonë si “Republika e Kosovës” në produktet që importohen nga Serbia e kishte marrë Qeveria e kaluar, reaguan sot nga MEPTINIS, të cilët këto pretendime po i hedhin poshtë.

Sipas tyre, ka një dallim substancial mes Vendimit të datës 21.11.2018 të marrë nga Qeveria e kaluar, dhe Vendimit të datës 30.05.2020, të marrë nga Qeveria Kurti.

“Vendimi i marrë nga Qeveria e kaluar dhe i shfuqizuar nga Qeveria Kurti, obligonte Doganën e Republikës së Kosovës që ta ndalojë importin dhe hyrjen në treg të të gjitha produkteve të cilat i referohen Republikës së Kosovës si “Kosovë e Metohi”, “Kosovo Unmik”, “Kosovo 1244”, dhe “Kosovo Rezoluta 1244”, ndërsa i marrë nga Qeveria Kurti thekson që për të hyrë një produkt nga Serbia në Kosovë duhet që në mënyrë eksplicite t’i referohet shtetit tonë si “Republika e Kosovës”.

“Pra, përderisa Vendimi i tyre nuk kërkonte shprehimisht termin “Republikë”, ai lejonte që Kosovës t’i referoheshin edhe ndryshe, si Kosovo apo XK, apo të përdoreshin kombinime të pabarabarta të emrave të shteteve — si psh. “Republika Srbija” në njërën anë dhe “Kosovo” pa cilësimin Republikë në anën tjetër”.

“Rrjedhimisht, meqë Serbia ka kushtëzuar përdorimin e emrit “Republika e Serbisë”, ne iu kundërvumë me masë reciproke”.

“Obliguam Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin “Republika e Kosovës” në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, dërguar klankosova.tv.

Kjo ministri rikujton se, siç thekson, Serbia në vazhdimësi ka shkelur zotimet e saj për lëvizje të lirë të mallrave nën traktatin e CEFTA-s dhe sipas marrëveshjeve të Brukselit, dhe se për këto arsye, Qeveria Kurti ka vendosur masat e reciprocitetit që “për dallim nga masat e qeverisë së kaluar, po vëzhgohen rreptë, për zbatimin dhe përshtatshmërinë e tyre”, thuhet më tej në reagimin e zyrës për media të ministrisë së udhëhequr nga Rozeta Hajdari.