Anulohet gjykimi për shtytje në terrorizëm ndaj Ikballe Berishës

Anulohet gjykimi për shtytje në terrorizëm ndaj Ikballe Berishës

Është anuluar gjykimi ndaj Ikballe Berisha-Huduti, e cila nga PSRK po akuzohet se kishte bërë thirrje për hakmarrje ndaj autoriteteve amerikane të cilët kishin realizuar një sulm në Irak, ku kishte mbetur i vrarë gjenerali dhe udhëheqësi i gardës revolucionare të Iranit Qassem Solejmani.

Për këto veprime, Berisha nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po ngarkohet me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”.

Të enjten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte paraparë të mbahej shqyrtimi fillestar, mirëpo sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Albina Shabani-Rama, kjo seancë ishte anuluar për shkak se prokurori i rastit Afrim Shefkiu kishte qenë i zënë.

Për këtë arsye, ajo njoftoi që seanca e radhës pritet të mbahet me 30 tetor 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 shtator 2020, e akuzuara Ikballe Berisha me 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook”, kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”.

Për këtë postim, PSRK po pretendon se e njëjta kishte shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen.

PSRK-ja të akuzuarën Berisha po e ngarkon me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga  neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.