Zaev: Mbajtja e konferencës ndërqeveritare me BE-në, do të jetë sinjal pozitiv edhe për rajonin

Zaev: Mbajtja e konferencës ndërqeveritare me BE-në, do të jetë sinjal pozitiv edhe për rajonin

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, i shoqëruar nga zv.kryeministri Nikolla Dimitrov dhe ministri Bujar Osmani, sot ka realizuar takim virtual me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

 Në këtë takim, Zaev falënderoi Borrelin për kontributin e tij për Maqedoninë e Veriut, me çka e përmendi Këshillin e BE-së në mars për të nisur negociatat për anëtarësimin e Shkupit në BE.

 Zaev tha se pret që kjo mbështetje të formalizohet edhe me miratimin e kornizës për negociata në fillimin e muajit të ardhshëm, si dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit. “Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare në mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së do të dërgojë mesazh pozitiv edhe për rajonin dhe do ta konfirmojë perspektivën e Ballkanit Perëndimor, si interes gjeostrategjik i Bashkimit Evropian”, tha Zaev.

 Ai shtoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore, duke zbatuar vazhdimisht Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë.