Kamberi: Nuk frikësohem, edhe pse jetoj në shtetin që u përfshi në vrasjen e kryeministrit të vet

Kamberi: Nuk frikësohem, edhe pse jetoj në shtetin që u përfshi në vrasjen e kryeministrit të vet

A janë të gatshëm njëmend serbët për luftë? Pse e vendosi flamurin e Shqipërisë e jo atë të Kosovës në Kuvendin e Serbisë? Çfarë komentesh mori prej serbëve pas fjalimit të tij kundër Vuçiqit? A frikësohet se mund të ketë atentat ndaj tij në Serbi? Në një intervistë për Gazetën Express, flet Shaip Kamberi, shqiptari nga Tërnovci i Madh, që është opozitari i vetëm i pushtetit të Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë.

Në Kuvendin e Serbisë, që duket si një tjetër objekt në pronësi të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, është vetëm një zë ndryshe.

Fjalimi, që konsiderohet prej më të fuqishmëve në kuvendet e shteteve ballkanike, e ka autor Shaip Kamberin. Në seancën e fundit në Kuvendin e Serbisë, ai vendosi një flamur kuqezi para vetes. Me këtë, ai tregon se ka një kauzë para vetes, që dëshiron ta arrijë përmes kuvendit serb.

Kamberi thotë se nuk është naiv të mendojë se Serbia do të ndryshojë me Vuçiqin në krye, por ai do ta vazhdojë misionin e tij.

Intervista e plotë e Kamberit dhënë Gazetës Express:

Që ta nisim nga seanca e fundit në Kuvendin e Serbisë. Mediat serbe raportuan se z. Daçiq ju ka thënë juve se është i lumtur që e morët flamurin kuqezi, e jo atë të Kosovës. Pse, në fakt, flamuri i Shqipërisë dhe jo i flamuri i Kosovës? 

Sh. Kamberi: Daçiqi vazhdon të paraqitet se kinse nuk e ka problem Republikën e Shqipërisë dhe shqiptarët si komb, por shtetin e Kosovës. Por z.Daçiq e demanton më së miri z.Daçiq. Është shumica aktuale parlamentare, ku bëjnë pjesë edhe deputetët e partisë së tij qeveritare, që e mban në fuqi ligjin aktual për minoritete, i cili e ndalon përdorimin e simboleve kombëtare që janë identike me ato të shteteve tjera. Pra, sipas këtij ligji, simbolet kombëtare shqiptare trajtohen si të Republikës së Shqipërisë, e jo të Republikës së Kosovës. Andaj, nëse z.Daçiq qenka i lumtur se paskam vendosur flamurin kuqezi e jo atë të Kosovës, atëherë pse nuk e inicon ndryshimin e ligjit aktual për minoritete, sipas modelit të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të zi, që mundëson përdorimin e ligjshëm të flamurit të Republikës së Serbisë në Graçanicë, Kumanovë dhe Kotor? Ky ndryshim i ligjit do ta legalizonte flamurin kuqezi në Serbi, e jo atë të Kosovës (që edhe ashtu nuk do të mund të legalizohej si simbol kombëtar i ndonjë pakice që do të deklarohej kosovare, përderisa Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës).

A mendoni se iniciativat dhe kërkesat tuaja do të lënë shenja të pushteti serb?

Sh. Kamberi: Si Shef i Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak”, që është e vetmja opozitë parlamentare në Serbi, detyra ime është t’i përfaqësoj zërat progresivë opozitarë, përfshirë ata të qytetarëve të Luginës së Preshevës dhe të Sanxhakut. Nuk kam dilema se pushteti aktual në Serbi është autoritar dhe se nuk ka shpresa demokratizuese me këtë establishment. Dhe nuk jam naiv me menduar se ne do ta ndryshojmë Serbinë. Por, kjo nuk nënkupton se duhet të pasivizohemi duke u vetizoluar dhe duke u viktimizuar në periferi. Përkundrazi. Është arsye dhe motiv shtesë për veprim, organizim, angazhim dhe përfshirje. Nëse ju kujtohet, kishte zëra që deklaronin se pjesëmarrja jonë në zgjedhjet parlamentare (të cilat i bojkotoi opozita e sotme jashtëparlamentare në Beograd dhe që po dëshmon fatkeqësisht edhe sot se nuk është alternativë progresive ndaj pushtetit aktual në Serbi) ishte në funksion të legjitimimit të pushtetit autoritar të Aleksandër Vuçiqit. Por, veprimi ynë në parlamentin e Serbisë po e dëshmon të kundërtën. Kjo i ka befasuar pozitivisht edhe pesimistët më të mëdhenj. Përfaqësimi në çdo parlament varet nga politika që ndjek. Duket se po arrijmë sipas mundësive tona ta shpërfaqim të vërtetën për pushtetin e sotëm në Serbi. Aq më tepër që pati filluar të krijohet një përshtypje e rreme edhe në nivel ndërkombëtar, se Serbia po demokratizohet.          

Si është të jeni opozita e vetme parlamentare e pushtetit të z.Vuçiq, që konsiderohet se përmbush të gjitha kushtet për t’u cilësuar si autokrat?

Sh. Kamberi: Kjo flet më së miri se ku është katandisur Serbia e z.Vuçiq. Edhe Millosheviqi kishte opozitë brenda hemisferës parlamentare. Paramendoni, në Serbinë e sotme nuk ka vend në parlament as për esktremistët e djathtë të Vojisllav Sheshelit, sepse sheshelistët janë integruar në partinë-shtet të Vuçiqit.    

Pas fjalimit tuaj të parë në Kuvendin e Serbisë pas formimit të Qeverisë, pati reagime të shumta. A keni marrë kërcënime? A jeni ndier në ndonjë moment i rrezikuar?

Sh. Kamberi: Nuk i kam konsideruar serioze mesazhet kërcënuese. Por më shumë më kanë bërë përshtypje mesazhet mbështetëse që kam marrë nga qytetarët e nacionalitetit serb, të cilët dëshmojnë se ndryshe nga pushteti, shoqëria serbe nuk është homogjene dhe ekziston një potencial demokratik që e dëshiron një Serbi tjetër nga ajo që përfaqëson pushteti i sotëm.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian e lëvdonin znj. Bërnabiq për formimin e Qeverisë. Ne e kemi dëgjuar fjalimin tuaj, por çfarë do t’u thoshit evropianëve që e uruan kryeministren serbe? Në fjalimin tuaj patët thënë se kryeqendrat botërore e duan stabilokracinë para demokracisë…

Sh. Kamberi: Nuk jam befasuar. Autoritarizmat janë bërë problem sot edhe i vet Bashkimit Evropian. Jo pak vende të Bashkimit Evropian po zhyten çdo ditë e më shumë në pushtete (gjysëm)autoritare. Madje disa prej tyre po e bllokojnë edhe zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Po jetojmë në një kohë ku po shumëzohen zërat edhe në kontinentin evropian që po i parapëlqejnë autoritarizmat, se kinse po mirëmbajnë më mirë stabilitet të brendshëm dhe marrëdhënie miqësore me fqinjët, duke zhvilluar njëkohësisht ekonomitë. Kjo frymë ka shkuar deri në pikën saqë nuk po paraqet problem as e djeshmja luftënxitëse e qeveritarëve, përderisa sigurojnë paqen e sotme, si në rastin e Serbisë. Prandaj, pushteti i sotëm i Serbisë është edhe reflektim i krizës së Bashkimit Evropian për nga perspektiva demokratike.  

A frikësoheni se mund të ketë sulm apo atentat ndaj jush? 

Sh. Kamberi: Nuk frikësohem, sado që jetoj dhe veproj në një shtet që nuk e respekton ende institucionalisht dhe nuk e vlerëson ende shoqërisht, ish-kryeministrin e saj, të vrarë në një atentat me përfshirjen e strukturave shtetërore, pak pasi pati deklaruar se “çdo shtet ka mafian e tij, e në Serbi mafia ka shtetin e saj”.  

Cili është komenti juaj në lidhje me deklaratat e z. Vuçiq dhe krahasimi i Kosovës me Nagorno-Karabakun, që u panë si kërcënim për luftë?

Sh. Kamberi: Një ‘spin’ për matje të opinionit publik në Serbi dhe në Kosovë, por sidomos të reagimit të kryeqendrave botërore, veçmas të Uashingtonit, ku po pritet marrja e pushtetit nga administrata e re, Biden. Ngjashëm me trenin “rus”, që ishte lansuar pak para marrjes së pushtetit të administratës Trump. 

Në disa sondazhe që janë publikuar nga mediat në Serbi thuhet se 52 për qind e serbëve janë pro që të sulmohet Kosova e një përqindje e përafërt shprehin gatishmëri që personalisht të marrin pjesë në luftë. A e besoni se kjo është njëmend atmosfera në popullin serb? A jeton akoma fryma e Millosheviqit në Serbi?

Sh. Kamberi: Ndonëse ekziston ende një disponim i thellë anti-shqiptar dhe anti-Kosovë, nuk besoj personalisht se ka shumë disponim nga qytetarët në Serbi për një luftë të re, qoftë edhe në Kosovë. Shoqëria në Serbi është mjaft e lodhur nga tranzicioni tridhjetëvjeçar që i ka sjellur serbëve shumë trauma, regres dhe humbje njerëzore e materiale. Nëse shihni anketat, shumica e njerëzve që e votojnë Vuçiqin motivohen nga shpresa për zhvillim shoqëroro-ekonomik në përgjithësi, e jo për ndonjë “rifitim” të luftërave të humbura nga Millosheviqi. Pushteti autoritar i z.Vuçiq luan në disa karta. Për nevoja të jashtme paraqitet si paqebërës rajonal dhe faktor stabiliteti nën petkun e “reformatorëve liberalë pro-evropian”, ndërkaq për nevoja të brendshme paraqitet si “parti patriotike”, duke ushqyer viktimizimin e popullit serb përmes diskursit të njohur konspiracionist të mitologjisë nacionaliste. Kjo politikë skizofrenike po manipulon me ndjenjat shoqërore për nevoja të ruajtjes së pushtetit. Serbia e Vuçiqit është herë kopje e keqe e Serbisë së Millosheviqit, herë kopje e keqe e Serbisë së Gjingjiqit, herë kopje e keqe e Jugosllavisë së Tito-s.      

Zyrtarë të lartë shtetërorë në Kosovë dhe Shqipëri, pas fjalimit tuaj, u krenuan me ju. A ndieni ju krenari për atë që kanë bërë udhëheqësit brenda dy shteteve shqiptare dhe për shqiptarët jashtë tyre?

Sh. Kamberi: Ndryshe nga vitet e fundit, po shprehet tashmë një interesim dhe një përkushtim më serioz nga Prishtina dhe Tirana zyrtare për Luginën e Preshevës. Por, nevojat janë të shumta dhe dinamikat mbeten të ngadalshme. E rëndësishme është të fillojë një bashkëpunim serioz institucional me rezultate konkrete, duke respektuar autonomitë politike përfaqësuese dhe vendimmarëse të palëve. 

Ose, po ju pyesim, po të mbani një fjalim në Kuvendin e Kosovës dhe të Shqipërisë, a do të dukej si një 2aktakuzë” karshi pushteteve?

Sh. Kamberi: Nuk kisha thënë aktakuzë, por fjalim politik edhe kritik.