Von Cramon: Hijet e nacionalizmit po e pengojnë bashkëpunimin në Ballkan

Von Cramon: Hijet e nacionalizmit po e pengojnë bashkëpunimin në Ballkan

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka deklaruar se hijet e nacionalizimit vazhdojnë të pengojnë bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor duke theksuar se anëtarët e Parlamentit Evropian dhe Bundestagu i kanë dërguar një letër kancelares gjermane, Angela Merkel për t’u siguruar se procesi i Berlinit përfshin pajtimin dhe përparimin  vërtetë.

Von Cramon vuri në dukje se pa pajtim, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë, asnjë përparim nuk mund të bëhet.

“Sot Këshilli i Punëve të Jashtme i BE-së diskuton për Ballkanin Perëndimor. Hijet e nacionalizimit vazhdojnë ta pengojnë bashkëpunimin, nuk mund të ecim përpara pa pajtim, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë.Ne i kemi dërguar letër kancelares gjermane Angela Merkel nga Parlamenti Evropian dhe Bundestagu për t’u siguruar që Procesi i Berlinit të përfshijë pajtimin dhe synim të ketë përparimin e vërtetë”, shkroi Von Cramon në Twitter.

Ndryshe krerët e diplomacisë së Bashkimit Evropian kanë zhvilluar sot një debat strategjik mbi Ballkanin Perëndimor dhe baza rreth kësaj është një dokument jozyrtar i përpiluar nga kryediplomati evropian, Josep Borrell.