India regjistroi 329,942 raste të reja me Covid-19 të martën, duke e çuar totalin në 22,992,517, sipas shifrave të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Kjo është dita e dytë me radhë që numri i rasteve të reja ditore të raportuara ka qenë nën 400,000. India më parë kishte regjistruar katër ditë rresht me mbi 400,000 raste, raporton Cnn, transmeton lajmi.net.
Vendi raportoi gjithashtu 3,876 vdekje të martën.
Që nga 28 prilli, numri ditor i vdekjeve ka tejkaluar 3,000, me numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 249,992.
India është vendi i dytë më i prekur pas Shteteve të Bashkuara me 32.7 milionë raste dhe përpara Brazilit, i cili ka numrin e tretë më të lartë të rasteve me 15.2 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins, transmeton lajmi.net.
Deri më tani, 172,633,761 doza vaksinash janë administruar në Indi.
Me 37,159,467 njerëz që kanë marrë dozën e tyre të dytë, rreth 2.85% e popullsisë së Indisë me 1.3 miliardë njerëz është plotësisht e vaksinuar, tha Ministria e Shëndetësisë këtë javë.