Johnson: S’do të lejojmë që Ballkani të bëhet shesh lojërash për Putinin

Johnson: S’do të lejojmë që Ballkani të bëhet shesh lojërash për Putinin

Ekspertët ushtarakë britanikë do të dërgohen në Bosnje e Hercegovinë për të forcuar misionin e NATO-s, dhe të promovojnë stabilitetin dhe sigurinë në vend, thuhet në kumtesën në ueb-faqen zyrtare të qeverisë së Britanisë së Madhe.

“Bosnja e Hercegovina aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial prej pas luftës, e liderët secesionistë po punojnë në mënyrë aktive për ndarje dhe konflikte të mëtejme. Këto planet i mbështet Moska si pjesë e përpjekjeve të Putinit për të minuar integrimin euro-atlantik të Bosnjës”, thuhet ndër tjera në kumtesën e qeverisë britanike, transmeton Telegrafi.

Me kërkesë të shtabit të NATO-s në Sarajevë, ekspertët ushtarakë për luftë kundër dezinformimit në Britani të Madhe dhe këshilltarë për mbrojtje strategjike civile, do të shkojnë atje si mbështetje dhe të trajnojë forcat e armatosura të Bosnjës e Hercegovinës.

Ata do të mbështesin reformat në mbrojtje në Bosnje, duke asistuar edhe në zhvillimin e mëtejmë, modernizimin dhe prezantimin sa më të mirë të forcave të armatosura me qëllim që të mund të përmbushin standardet e NATO-s.

“Përveç kësaj, Britania e Madhe do të sigurojë 750 mijë funte për hapjen e një qendre për siguri kibernetike, që do të operoj në kuadër të Universitetit të Sarajevës. Kjo do ta forcojë mbrojtjen e Bosnjës nga sulmet kibernetike, që mund të lëndojnë njerëzit si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Britania e Madhe do të punojë ngushtë me mediat dhe institucionet e Bosnjës për t’i përgatitur me pajisje për identifikimin dhe zbutjen e efekte nga gënjeshtrat dhe dezinformimi”, thuhet ndër tjera.

Lidhur me këtë vendim është deklaruar edhe kryeministri britanik Boris Jonhson i cili është shprehur mjaft i qartë dhe i prerë.

“Nuk duhet të lejojmë që Ballkani Perëndimor të jetë një shesh tjetër i Putinit për synime shkatërruese. Duke ndezur flakën e seceionizmit dhe sektarizmit, Rusia po përpiqet t’i kthejë mbrapsht tri dekada të suksesit në Bosnje e Hercegovinë, të arritura këto që sollën stabilitet në tërë kontinentin tonë. Për këtë po rrisim mbështetjen në Bosnje, po i përgjigjemi thirrjes se miqve tanë për t’i ndihmuar në ruajtjen e paqes që edhe me të drejtë e meritojnë”, shtoi Johnson.