Kurti për Rakiqin dhe Radoiçiqin: Nuk janë identikë

Kurti për Rakiqin dhe Radoiçiqin: Nuk janë identikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë të bindur që vendimi i 31 korrikut për të shtyrë për 30 ditë zbatimin që lidhet me reciprocitetin, është i duhur dhe sipas tij, këtë e kanë kuptuar edhe qytetarët e Kosovës. Ai ka thënë se në të kundërtën populli do të përgjigjej me protesta.

Në seancën e Kuvendit, derisa u është përgjigjur kritikave të opozitës, Kurti ka thënë se vendimi i 31 korrikut nuk përbën shkelje.

“Po të kish qenë shkelje vendimi ynë i mbrëmjes së 31 korrikut, po të mos e kish kuptuar populli që është, edhe i drejtë, edhe i mençur sot e kishe pas sheshin plot, qysh e kemi mbushë ne kur vinin shkëmbimi territorial e vinin ‘Zajednica’ që të ratifikoheshin e aprovoheshin këtu. Populli i Kosovës po e di shumë mirë që kemi vepruar shumë mirë”, ka thënë Kurti.

Derisa Kurti i ka përmendur Ramush Haraidanjt takimin më Radoiçiqin në zyrën e kryeministrit, Kurtit i është kërkuar llogari për Goran Rakiq i cili është pjesë e ekzekutivit.

“A janë krejtësisht të ndryshëm Rakiqi dhe ai kryekrimineli nuk mund të them sepse janë një subjekt politik, mirëpo a janë identikë prapë nuk mund të them, sepse për kryekriminelin ka fletë arrest e mos harroni që në një qeverisje të mëhershme ju pat hequr fletë arrestin për arsye teknike e taktike, ndërkaq edhe në listë të zezë nuk është Rakiqi sikurse ai kryekrimineli, nuk janë identikë. Shteti që nuk shquan, nuk bën dallime, është shtet i dobët, shteti i cili dallon nuancat dhe ka strategji është shtet i fortë”, ka thënë Kurti.

Duke ju përgjigjur deputetëve, Kurti është deklaruar edhe rreth kërkesave të tyre për Ligjin për paga, për çka ka thënë se parulla e tij në zgjedhje ka qenë punësim e drejtësi dhe jo rritje pagash.

“Duhet ta kuptoni një gjë, pagat, pagat, pagat, unë e di që jeta është bërë më e vështirë në Kosovë por duhet ta keni parasysh parulla jonë me të cilën kemi fituar në zgjedhje ka qenë ‘punësim dhe drejtësi’, jo rritje të pagave, ju keni garuar me rritje të pagave dhe keni humbur, pra prej vitit 2014 ka parti që kanë garuar me rritje të pagave si parullë, ato parti kanë humbur, ne kemi fituar me punësim dhe drejtësi, pra me i shti në punë ata që nuk janë dhe jo vetëm ata që janë, e dihet qysh kanë hy në punë tash vetëm me ta u marrë e me ua rritë pagat, kjo do të ishte kundër popullit dhe kundër fitores që kemi realizuar ne. Prandaj parullën tuaj nuk mund t’jua realizoj unë, ajo parullë ka humbë më 14 shkurt 2021. Ne do të bëjmë ligjin e ri për pagat, do të kemi ndjeshmëri për gjendjen e punëtorëve në sektorin publik por unë atë parullë nuk mund ta marrë, është e juaja”, ka thënë Kurti.

Pika e deklarimeve jashtë rendit të ditës u zgjat ne debatin për ngjarjet e së dielës mbrëma dhe vendimit të Qeverisë së Kosovës për të shtyrë për një muaj zbatimin e vendimit për letërnjoftime dhe targa.