Duhen disa ditë për ta nxjerrë trupin e Bryant nga zona e rrëzimit të helikopterit

Duhen disa ditë për ta nxjerrë trupin e Bryant nga zona e rrëzimit të helikopterit

Autoritetet në Qarkun e Los Anxhelosit kanë bërë të ditur se do të duhen disa ditë për t’i tërhequr nga zona e rrëzimit të helikopterit trupat e Kobe Bryant dhe tetë personave të tjerë, të cilët vdiqën në aksidentin tragjik të dielën.

Legjenda e basketbollit Bryant, bashkë me vajzën e vet dhe shtatë persona të tjerë, humbën jetën si pasojë e rrëzimit të helikopterit me të cilin po udhëtonin drejt një ndeshjeje basketbolli të dielën.

Një ditë nga tragjedia që e tronditi botën, autoritetet në Los Anxhelos thonë se terreni në Calabasas, ku u rrëzua helikopteri, është shumë i vështirë, prandaj nxjerrja e trupave të viktimave nga aty do të marrë disa ditë.

Bryant, i pensionuar nga loja e basketbollit në NBA vetëm pak vite më parë, ishte vetëm 41 vjeç, ndërsa vajza e tij Gianna ishte vetëm 13 vjeçe.

Daryl Osby, shefi i zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit, ka thënë se është shumë e vështirë të shkohet në zonën e rrëzimit të helikopterit dhe se zjarrfikësve u është dashur të arrijnë atje në këmbë.

Sipas tij, mbetjet e helikopterit janë shpërndarë gjithandej nëpër terren.