Konfirmohet rasti i parë në SHBA i sëmundjes misterioze “Sindroma Havana”

Konfirmohet rasti i parë në SHBA i sëmundjes misterioze “Sindroma Havana”

Rastet misterioze të personave të prekur me sëmundjen e njohur si “Sindroma Havana” u konfirmuan edhe brenda SHBA-së për herë të parë.

Kjo sindromë për herë të parë u shfaq në ambasadën amerikane në Kubë në vitin 2016 kur disa zyrtarë raportuan për dhimbje koke dhe simptoma të tjera që lidhen me të, njofton Klan Kosova.

“Në këtë moment, ne nuk e dimë shkakun e këtyre incidenteve, të cilat janë të kufizuara në numër dhe shumica dërrmuese e të cilave janë raportuar jashtë shtetit”, tha sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, duke konfirmuar se është raportuar një rast në SHBA.

Simptomat e kësaj sëmundje jo fort të njohur janë dëgjimi i zërave irritues, dhimbje të kokës, humbja e dëgjimit, humbja e kujtesës dhe të vjellat.

Burimi i sëmundjes ende nuk dihet. Por, qysh më herët janë aktivizuar në hetime autoritetet federale, përfshirë Pentagonin.

Administrata e Biden ka nisur një rishikim për të përcaktuar nëse ka raste të tjera të paraportuara më parë, konfirmoi një zëdhënës i Këshillit të Sigurimit Kombëtar për ABC News.

Dhjetëra amerikanë janë diagnostikuar me një sërë simptomash, duke përfshirë dëmtime traumatike të trurit, disa prej të cilëve përshkruajnë përvoja të çuditshme të dëgjimit të zhurmave dhe ndjesi të çuditshme.

Një studim i vitit 2019 në Journal of the Royal Society of Medicine hetoi për mundësinë që sindroma Havana mund të jetë një formë e “sëmundjes psikogjene”.

“Sëmundja psikogjene është një term që i referohet çrregullimeve fizike të cilat vijnë nga stresues emocionalë ose mendorë dhe ka të ngjarë që vijnë nga një lloj çrregullimi psikologjik ose psikiatrik”, ka thënë Ken Jones, administrator i shëndetit mendor në një spital të Texasit.