Pas Francës e Kinës, edhe një shtet tjetër del kundër paktit ShBA – Australi – Britani

Pas Francës e Kinës, edhe një shtet tjetër del kundër paktit ShBA – Australi – Britani

Pakti trepalësh mes Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe e Australisë, përpos nga Kina dhe Franca, nuk është pritur mirë as nga fqinja e Australisë, Zelanda e Re.

Kryeministrja e këtij shteti, Jacinda Ardern, ka biseduar personalisht me homologun e saj australian, Scott Morrison, duke i thënë se nëndetëset me energji bërthamore, të cilat pritet të prodhohen për Australinë me teknologji amerikane e britanike, nuk do të jenë të mirëseardhura në ujërat e vendit të saj.

Ujërat e Zelandës së Re janë zonë ku ndalohen armët apo pajisjet bërthamore, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Arsyeja kryesore e kundërshtimit të energjisë bërthamore nga Zelanda e Re janë opinioni publik dhe shqetësimi rreth sigurisë dhe derdhjes së mbetjeve bërthamore.

Sidoqoftë, përderisa po njoftonte për marrëveshjen e arritur, kryeministri australian, Scott Morrison, tha se vendi i tij nuk po synon të zhvilloj kapacitete bërthamore civile, ku do të përfshiheshin centralet bërthamore.

Megjithatë, kundër marrëveshjes kanë dalë edhe disa grupe në Australi. Kryetari i Partisë së Gjelbër, Adam Brandt, e kritikoi marrëveshjen, duke thënë se ajo është sikur të vendoset Çernobili në zemrat e qyteteve australiane dhe se ajo e bën Australinë më pak të sigurt.