Rama në konferencë me kryeministrin spanjoll: Beogradi të mos justifikojë veprimet në veri të Kosovës

Rama në konferencë me kryeministrin spanjoll: Beogradi të mos justifikojë veprimet në veri të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama së bashku me homologun e tij spanjoll, Pedro Sanchez kanë mbajtur konferencë për media të përbashkët në Tiranë.

Gjatë konferencës, Rama ka përmendur edhe tensionet në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë marrëveshjet e reciprocitetit dhe i bëri thirrje presidencës serbe që të mos justifikojë veprimet e grupeve të caktuara në veri të Kosovës.

“Kemi folur për Kosovën, dihet që Spanja ka një pozicion të ndryshëm për arsye qe lidhen me vetë Spanjën dhe nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj bashkësisë së shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj së drejtës së tyre, por ne kemi diskutuar aq më tepër në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit dhe marrëveshjet e dakorduara me palën tjetër janë marrëveshje për t’u zbatuar. Ne e përshëndesim shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshje. I bëj thirrje autoriteteve në Beograd që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi apo alibie grupe të caktuara në veri të Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje”, ka deklaruar Rama.

Kujtojmë se vendimi për reciprocitetin me Serbinë në lidhje me dokumentet identifikuese është duke u zbatuar në nivel vendi në Kosovë, pasi që nga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur se ky vendim do të pezullohet në momentin kur të largohen barrikadat e vendosura nga serbët ne veri.