• E mërkurë / Oct-05 17:21
  • Kontakt

BE-ja i vendos sanksione financiare Hungarisë, pritet të bllokohen 7.5 miliardë euro fonde

Komisioni Evropian në mes shqetësimeve për korrupsion ka bërë thirrje për bllokimin e 7.5 miliardë eurove fonde të dedikuara për Hungarinë.

Komisionari Johannes Hahn, përgjegjës për Buxhetin dhe Administratën, tha se shifra arrin në rreth një të tretën e fondeve që vendi mori nga buxheti i BE-së.

Për Brukselin, rekomandimi i Këshillit për miratimin e kësaj mase ndëshkuese është hapi i radhës në procesin e mekanizmit të sundimit të ligjit.

Mekanizmi, i cili ishte miratuar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë vetëm disa javë më parë, pas një sfide nga Budapesti dhe Polonia, i lejon Brukselit të vendosë sanksione financiare ndaj shteteve anëtare “për të mbrojtur buxhetin” nëse ato konsiderohen se kanë shkelur vlerat thelbësore të BE-së.

“Vendimi për vendosjen e gjobës financiare u mor unanimisht nga komisionarët gjatë mbledhjes së Kolegjit të mbajtur në mënyrë të jashtëzakonshme më herët në mëngjes”, tha Hahn.

Ai theksoi se Budapesti ka përshkruar 17 masa korrigjuese që kur Brukseli aktivizoi mekanizmin e kushtëzimit dhe se këto “në parim duhet të jenë në gjendje të adresojnë çështjet e përshkruara në njoftim” duke përfshirë “parregullsitë sistematike” në procesin e prokurimit publik, konfliktin e interesit nga qeveria.

Hahn gjithashtu theksoi se kjo është vetëm nëse ato “zbatohen në përputhje me rrethanat” dhe se afati kohor mbetet “shumë i ngushtë” dhe se ndryshimi konkret në praktikë do të kërkonte gjithashtu kohë.

“Rrezik për buxhetin në këtë fazë mbetet, prandaj nuk mund të konkludojmë se buxheti i BE-së është mjaft i mbrojtur”, vazhdoi ai.

Njoftimi i së dielës vjen vetëm tre ditë pasi deputetët deklaruan se Hungaria nuk është më një demokraci plotësisht funksionale, por një “regjim hibrid i autokracisë zgjedhore”.

Në rezolutën e tyre, ligjvënësit evropianë ia vënë fajin kryeministrit Viktor Orbán për ndryshimin e sundimit të ligjit në vendin e Evropës Lindore.