• E mërkurë / Oct-05 17:30
  • Kontakt

Rusia në krizë të madhe, ka mungesë të madhe të personelit ushtarak për luftën në Ukrainë – madje zbulohet shuma që ua ofrojnë rekrutëve

Rusia në krizë të madhe, ka mungesë të madhe të personelit ushtarak për luftën në Ukrainë – madje zbulohet shuma që ua ofrojnë rekrutëve

Ushtria ruse është në kërkim të rekrutëve për luftën në Ukrainë – duke u ofruar të paktën 2.700 euro në muaj, ku në videon promovuese thonë se është “zgjedhja e vërtetë e një burri”, raporton Sky News.

Ushtria ka shpërndarë transparentë për të tërhequr vëmendjen e “ushtarëve me pagesë” për atë që Kremlini po i referohet si “operacioni special ushtarak”, që në fakt është pushtimi rus në shtetin fqinj – Ukrainën.

Në qytetin rus Rostov në jug të këtij vendi, ushtarët e uniformuar dhe me maska ua kanë treguar armët kalimtarëve të rastit, dhe u ndanin broshura me sloganin “shërbimi ushtarak me marrëveshje – zgjedhja e vërtetë e burrit”

Rusia e as Ukraina nuk publikojnë të dhënat sa i përket humbjeve, që shërbimet perëndimore të inteligjencës vlerësojnë se shkon në dhjetëra mijëra të vrarë nga të dyja palët.

Në anën tjetër, Moska as që ka azhurnuar numrin e të vdekurve që nga 25 marsi, kur edhe ishte thënë se 1.351 ushtarë rusë janë vrarë dhe 3.825 tjerë janë plagosur.

Pavarësisht se Kremlini ka bërë të ditur se nuk ka pasur bisedime për mobilizim në tërë vendin për të rritur forcat e saj mbrojtëse, faktet nga terreni tregojnë se Moska ka nevojë për personel ushtarak pas humbjeve të mëdha në Ukrainë dhe mossuksesit në pushtimin e këtij vendi.

Personi përgjegjës për rekrutim në Rostov ka thënë se rusët dhe mercenarët nga vendet e tjera të moshës 18 deri në 60-vjeç, me shkollim të mesëm do t’i përmbushnin kriteret e kërkuara nga Moska.

“E ata që po pranojnë këtë kusht, po zgjedhin të nënshkruajnë kontratat nga tre deri në gjashtë muaj për të marrë pjesë në operacionin special ushtarak”, tha ushtari Sergei Ardashev.

Paga minimale në ofertë është 160 mijë ruble (rreth 2.700 euro), që është gati tri herë më e lartë se sa mesatarja në nivel vendi.