Udhëheqësi çeçen do të dërgojë tre djemtë e tij adoleshentë në luftë në Ukrainë – njëri prej tyre është 14 vjeç

Ramzan Kadyrov ka thënë të hënën se do të dërgonte djemtë e tij adoleshentë për të luftuar në Ukrainë.

Aleati i presidentit rus Vladimir Putin, tha se tre djemtë e tij – 14, 15 dhe 16 vjeç – do të niseshin në betejë në Ukrainë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ai e bëri njoftimin vetëm disa ditë pasi kritikoi komandën ushtarake ruse dhe bëri thirrje për përdorimin e armëve bërthamore.

“Ka ardhur koha [që ata] të shkëlqejnë në një betejë të vërtetë dhe unë mund të përshëndes vendosmërinë e tyre”, ka shkruar Kadyrov në një postim në Telegram në kanalin e tij zyrtar, duke iu referuar djemve të tij të quajtur Akhmat, Eli dhe Adam.

“Së shpejti ata do të shkojnë në vijën e parë dhe do të gjenden në zonat më të vështira të vijës së frontit”, ka shtuar ai.

Udhëheqësi çeçen ka 14 fëmijë, sipas faqes së tij zyrtare, por mediat ruse thonë se ai mund të ketë më shumë.

Të shtunën, Kadyrov tha se Rusia duhet të konsiderojë përdorimin e një arme bërthamore me rendiment të ulët në Ukrainë mes humbjeve të mëdha në fushën e betejës në lindje.

“Për mendimin tim personal, duhen marrë masa më drastike, deri në shpalljen e ligjit ushtarak në zonat kufitare dhe përdorimin e armëve bërthamore me rendiment të ulët”, tha udhëheqësi i emëruar nga Kremlini.

Këto komente u kundërshtuan më vonë nga Moska, e cila tha të hënën se “emocionet duhet të përjashtohen”.

“Ne preferojmë të bëjmë vlerësime të matura dhe objektive,” u tha Dmitry Peskov gazetarëve kur u pyet për deklaratën e Kadyrov, megjithëse ai vlerësoi “kontributin e tij heroik” në përpjekjet e luftës në Ukrainë.