Propaganduesi i Putinit thotë se Rusia nuk duhet të presë ‘lajme të mira’ nga Ukraina

Propaganduesi i Putinit thotë se Rusia nuk duhet të presë ‘lajme të mira’ nga Ukraina

Një prezantues televiziv rus – që vlerësohet si “propaganduesi i Putinit” – ka thënë se Rusia nuk duhet të presë “lajme të mira” pasi kundërofensivat ukrainase bëjnë përparime në Ukrainën lindore dhe jugore.

Sipas Newsweek Vladimir Solovyov paralajmëroi se “gjërat nuk do të jenë të lehta” për Rusinë gjatë një transmetimi të hënën në rrjetin shtetëror Russia-1.

Solovyov u ankua se Rusia nuk mund të “sulmonte dhe të merrte Kievin nesër” përpara se të sugjeronte se mobilizimi i pjesshëm i presidentit rus Vladimir Putin prej 300,000 rezervistësh nuk do të ishte në gjendje të ndalonte përparimet aktuale të Ukrainës për shkak të vonesave në trajnimin e trupave.

“Kërkohet kohë për stërvitjen e tyre, për koordinimin e tyre luftarak dhe që ata të kenë gjithçka që u nevojitet për të hyrë në betejë”, ka thënë Solovyov, sipas Daily Express.

“Kjo do të thotë se për një periudhë të caktuar kohore, gjërat nuk do të jenë të lehta për ne. Tani për tani, nuk duhet të presim lajme të mira. Ne duhet të kemi ‘vullnet të gjatë’ dhe durim strategjik”.

Ndryshe, Ukraina ka parë së fundmi sukses të rëndësishëm në dy fronte të luftës.

Pas rimarrjes së qytetit lindor të Lymanit gjatë fundjavës, ndërsa po shkonin drejt rajonit të Donetsk-një nga katër rajonet që Putin pretendonte se kishte aneksuar javën e kaluar- ushtria ukrainase të hënën raportoi se kishte bërë përparime të tjera të mëdha në Ukrainën jugore.

Siç është raportuar, forcat ukrainase depërtuan përmes mbrojtjes ruse për të avancuar “dhjetëra kilometra” përgjatë bregut perëndimor të lumit Dnipro, sipas një raporti të Reuters duke cituar burime ruse.

Ushtria thuhet se ka rimarrë “një numër fshatrash” gjatë avancimit.

Kjo është konfirmuar edhe nga Vladimir Saldo, udhëheqësi i instaluar nga Rusia në rajonin Kherson të Ukrainës jugore, tha të hënën se forcat ukrainase kishin bërë përparime të suksesshme dhe kishin rimarrë disa vendbanime në rajon.

Ndërsa i njohur për mbështetjen e tij ndaj Putinit dhe promovimin e retorikës pro-Kremlinit, Solovyov ka ofruar më parë kritika për performancën e ushtrisë ruse gjatë luftës.

Gjatë një transmetimi të enjten e kaluar, ai u ankua se Perëndimi po “fillonte të tallej” me Rusinë për luftën në Ukrainë.