znj.Sinani: Keqardhje që i nderuari z.Miroslav Lajčak nuk ka takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë.

znj.Sinani: Keqardhje që i nderuari z.Miroslav Lajčak nuk ka takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë.

Postimi i plotë i znj.Ardita Sinani:

Keqardhje që i nderuari z.Miroslav Lajčak nuk ka takuar ende të zgjedhurity e shqiptarëve në Republikën e Serbisë.

I kuptueshëm takimi i fundit me përfaqësuesit e listës serbe, të komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës, sidomos duke i marrë parasysh tensionet dhe përshkallëzimin e mundshëm të stabilitetit dhe sigurisë. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sikurse tash në veriun e Kosovës.

Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane.

Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk ju njihen diplomat për rreth 15 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi. Shumë çështje që trajtohen në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës si rajon, e me shqiptarët e Serbisë në përgjithësi.

Prandaj është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi.

Harmonizimi i sotëm i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë midis dy vendeve dialoguese është në interes të paqes së nesërme midis tyre. E jo vetëm.

Përfshirja e të zgjedhurëve të tyre në proces është në shërbim të stabilitetit, sigurisë, evropianizimit dhe demokracisë së Ballkanit Perëndimor.

Prandaj,  z.Lajçak, Ju ftoj që të na takoni edhe neve, të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për t’na dëgjuar. Së paku.