Ligjvënësi britanik, Damian Collins, e ka akuzuar rrjetin social Facebook për dështim të hetimeve nëse Rusia ka tentuar të ndikojë në votën e vitit të kaluar që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian.
Përfaqësues të këtij rrjeti social patën thënë se kanë gjetur vetëm tri reklama të dyshimta.
Udhëheqësi për Kulturë dhe Media në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Damian Collins, ka thënë se Facebook ka kufizuar hetimet në vetëm një burim të reklamave, atë të Agjencisë së Kërkimit në Internet, e cila është komentuar sipas agjencive të Inteligjencës amerikane si vendi kryesor prej nga qeveria ruse ka ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA.
“Duket se Facebook nuk ka hetuar në llogaritë false dhe faqet që mund të jenë të lidhura me agjencitë e mbështetura nga rusët, të cilat kanë qenë aktive gjatë referendumit për BE-në, ashtu siç kam kërkuar unë”, ka thënë Collins.
Ai e ka përsëritur kërkesën e tij për të hetuar rreth çdo “reklame apo faqeje të paguar apo të hapur që ka lidhje me llogaritë ruse”, të cilat kanë qenë aktive para dhe gjatë 23 qershorit 2016, kur është mbajtur votimi nëse Britania duhet të largohej nga BE-ja.
Facebook ka kundërshtuar deklaratat e Collins, duke thënë se kërkesa e tij është shqyrtuar “shumë seriozisht”.
Në një letër drejtuar Komisionit Zgjedhor në Britani, Facebook ka thënë se kanë identifikuar 470 llogari të lidhura me Agjencinë e Kërkimit në Internet, dhe kanë thënë se agjencia ka shpenzuar vetëm 97 cent në tri reklama që janë parë nga audienca britanike gjatë fushatës për Brexit.
Facebook ka shtuar se që të tri reklamat kanë pasur target, audiencën amerikane dhe shqetësimet e imigrimit, dhe jo procesin e Brexitit.
Çështja e imigrimit ka qenë pikë e rëndësishme edhe në votimet për Brexit, ashtu si për zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA.
Disa hetues kanë thënë se Agjencia për Kërkime në Internet punëson qindra persona për të postuar përmbajtje të tilla siç është çështja e imigrimit në rrjetet sociale dhe duket të jetë strategji e Kremlinit për të nxitur mosmarrëveshje në Perëndim.
Disa nga reklamat ruse, për të cilat Facebook tha më herët gjatë këtij viti se kanë arritur tek më shumë se 126 milionë amerikanë gjatë fushatës presidenciale, kanë pasur përmbajtje që lidhin imigrantët me krime dhe humbje të punës.
Rusia mohon të ketë ndërhyrë në procesin e Brexitit apo atë të zgjedhjeve në SHBA.
Derisa Facebook ka thënë se ka gjetur pak të dhëna rreth përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në votën për Brexit, i njëjti rrjet social ka thënë se kompanitë ruse kanë shpenzuar 100,000 dollarë në reklama me qëllim të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
The New York Times ka raportuar se shumë shpejt do të publikohet një raport nga Instituti Oxford për Internet, rreth asaj nëse kompanitë ruse kanë përdorur Twitterin apo YouTube për të ndikuar në votën për Brexit.
Autori i këtij studimi, Philip Howard ka thënë se “aktiviteti rus gjatë procesit të Brexitit ka qenë minimal”.
The Times ka thënë po ashtu se mediat si Sputnik dhe RT, kanë qenë shumë aktive gjatë kësaj periudhe në versionet e tyre në gjuhën angleze.