Jose Mourinho nuk është më menaxher i Tottenham Hotspur.
Lajmin për shkarkimin e portugezit e ka bërë të ditur klubi i Tottenham Hotspur përmes uebfaqes zyrtarë, transmeton RTV ALDI.
“Klubi sot njofton se Jose Mourinho dhe stafi i tij, Joao Sacramento, Nuno Santos, Carlos Lalin dhe Giovanni Cerra janë liruar nga detyrat e tyre përkatëse”, tha Tottenham.
Ndërkohë edhe Shefi ekzekutiv i Tottenhamit, Daniel Levy shpjegoi shkarkimin e Mourinhos.
“Jose dhe stafi i tij kanë qenë me ne një kohë të gjatë gjatë në disa prej kohërave tona më sfiduese si klub. Jose është një profesionist i vërtetë i cili tregoi një punë të jashtëzakonshme gjatë pandemisë. Në nivelin personal më ka pëlqyer të punoj me të dhe pendohem që gjërat nuk kanë ecur siç e kishim parashikuar të dy”, tha Levy.
“Ai do të jetë gjithmonë i mirëpritur këtu dhe ne duhet të falënderojmë atë dhe stafin e tij të trajnerit për kontributin e tyre në Tottenham Hotspur”, përfundoi Daniel Levy.
Mourinho u bë pjesë e Tottenhamit në vitin 2019, duke zëvendësuar Maurizio Pocchetinon i cili u shkarkua nga klubi atë sezon.
Tottenham qëndron në vendin e shtatë me 50 pikë total në Premierligë, ndërsa ndeshjen e fundit barazoi me Evertonin./RTVALDI/