Messi: Nuk prisja të kaloja te PSG, doja të përfundoja karrierën te Barcelona

Sulmuesi ka folur sërish për largimin nga Barcelona.

Leo Messi u largua nga Barcelona gjatë verës si futbollistë i lirë në drejtim të PSG, pasi nuk arriti të nënshkruajë kontratën e re me ‘Blaugranët’ shkaku i problemeve financiare, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për ‘France Football’, Messi ka zbuluar se nuk e priste që do të transferohej te PSG.

“Sinqerisht, nuk e prisja të bashkohesha me PSG. U ktheva për t’u përgatitur për para-sezonin pas pushimeve shtesë që Koeman më kishte dhënë, kisha idenë e nënshkrimit të një kontrate dhe kthimit në stërvitje”.

“Mendova se gjithçka ishte bërë dhe e vetmja gjë që mungonte ishte nënshkrimi im, por kur mbërrita në Barcelonë ata më thanë se nuk ishte e mundur, se nuk mund të qëndroja dhe duhet të gjeja një klub tjetër, sepse Barcelona nuk kishte më paratë për të rinovuar me mua”.

“Ishte shumë e vështirë. Kisha në mendje të përfundoja karrierën time te Barcelona. Më duhej të ndryshoja planet e mia, ishte një ndjenjë e çuditshme, e ngjashme me atë kur isha 13 vjeç dhe u largova nga Rosario. Ishte jashtëzakonisht e vështirë të largohemi nga shtëpia jonë”.

“Familja duhej të ndryshonte rutinën e saj. Për herë të parë në karrierën time, shumë gjëra më kaluan në kokë, nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të largohesha dhe më duhej ta pranoja”, tha Messi.

34-vjeçari, ka zhvilluar pesë ndeshje me fanellën e ‘Parisienëve’ duke realizuar një gol.