Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill s’e ka përjashtuar mundësinë që të ketë investime amerikane në Luginën e Preshevës, gjatë një vizite dy ditore në atë rajon.
Hill tha në një intervistë për RTV Aldi në Preshevë se preshevarët janë punëtorë dhe se do të donte të shihte investime atje.
“Asgjë nuk do të mund të më kënaqte më shumë sesa të shihja investitorë amerikanë në këtë pjesë të Serbisë. Kjo pjesë e Serbisë ka nevojë për investime, njerëzit këtu janë shumë punëtorë dhe unë do të doja të shihja investime këtu. Është mëse e qartë që problemet politike e kanë ngadalësuar zhvillimin ekonomik këtu”, tha Hill.
Duke vlerësuar se Presheva “ka një lokacion shumë të mirë”, Hill tha se atje ka edhe infrastrukturë.
“Këtu ka një autostradë shumë të bukur. Unë mund të shoh se këtu ka infrastrukturë dhe unë do të vazhdoj t’i inkurajoj kompanitë amerikane… Ato shpesh nuk bëjnë atë çfarë i thotë Qeveria në Amerikë, por unë gjithesesi do të vazhdoj t’i inkurajoj ato të investojnë në këtë pjesë, që për mendimin tim është një pjesë shumë dinamike e Serbisë”, tha Hill.
Ai u shpreh i bindur se “mund të shohim progres në këtë rajon”.