Dobësia fizike mund të jetë paralajmëruese e hershme e demencës

Dobësia fizike mund të jetë paralajmëruese e hershme e demencës

Një studim ndërkombëtar ka zbuluar se shenjat e dobësisë fizike mund të parashikojnë rrezikun për demencë më shumë se një dekadë përpara shfaqjes së simptomave kognitive.

Sipas këtij studimi, i cili përfshiu mbi 29,000 individë të moshës 60 vjeç e lart, niveli i dobësisë fizike filloi të rritej 4-9 vjet para diagnozës me demencë. Kjo rritje e dobësisë ishte e dukshme edhe te ata individë që kishin matje të saj para kësaj periudhe, duke treguar një lidhje me rrezikun për zhvillimin e demencës.

Studiuesit sugjeruan se kjo mund të jetë një mundësi për ndërhyrje të hershme te ata që janë më të rrezikuar. Megjithatë, studiuesit theksuan se lidhja mes dobësisë fizike dhe demencës nuk është 100% e qartë dhe se kërkohen studime të tjera për të kuptuar më mirë këtë lidhje.

Studimi, i realizuar me të dhëna nga katër grupe studimore (ELSA, HRS, MAP dhe NACC), përdori një indeks të dobësisë fizike për të vlerësuar shëndetin dhe funksionalitetin e individëve, duke përfshirë faktorë si tensioni i lartë i gjakut, kanceri dhe vështirësitë me lëvizshmërinë. Gjetjet treguan se për çdo rritje prej 0.1 në indeksin e dobësisë fizike, rreziku për të zhvilluar demencë rritej.

“Me çdo katër deri në pesë probleme shëndetësore shtesë, ka një rrezik më të lartë mesatarisht prej 40% për të zhvilluar demencë,” thotë David Ward, njëri nga studiuesit kryesorë, sipas MedScape.

Një nga rekomandimet kryesore të studiuesve ishte përqendrimi në parandalimin e dobësisë fizike përmes ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik, optimizimit të barnave për sëmundjet kronike dhe mbajtjen e një rrethi të fortë shoqëror.