Për të dytin vit radhazi kapiteni i Realit, Serxho Ramos, shijoi një privilegj që nuk është kapërdirë lehtë nga disa prej shokëve të skuadrës: të rikthehej nga pushimet verore me disa ditë vonesë, gjithnjë me lejen e stafit teknik.
Futbollistët që morën pjesë në Botëror në Rusi, patën të drejtën për disa ditë më shumë pushimi, ndërsa bashkatdhetarët Isko, Asensio, Vazkez dhe Naço u rikthyen nga pushimet në datat 25-26 korrik. Karvahal iu bashkua skuadrës më 29 korrik.
Nga Ramosi nuk kishte asnjë shenjë deri në fillim të gushtit. Kapiteni nuk ishte në dispozicion të trajnerit Hulen Lopetegui gjatë ndeshjes së debutimit në “International Champions Cup” kundër Mançester Junajtid, e cila përfundoi me fitoren e anglezëve 2-1.
Mbrojtësi spanjoll iu bashkua shokëve në SHBA një ditë pas ndeshjes dhe mund të zbresë në fushë në miqësoren kundër Juventusit të dielën. Rikthimi i vonë, sipas asaj që shkruan “Marca”, ka shkaktuar pakënaqësi në dhomat e zhveshjes, ku disa prej lojtarëve nuk e kanë pritur mirë lejen speciale për kapitenin e tyre.
Por, në çdo rast, në vigjilje të finales së Superkupës së Europës (15 gusht) kundër Atletikos në Talin të Estonisë, është e nevojshme që të rikthehet ekuilibri për të pasur edhe një herë cilësitë teknike dhe lidershipin e mbrojtësit të shumëdiskutuar.