Përse mbajmë mend disa gjëra dhe jo disa të tjera?

Përse mbajmë mend disa gjëra dhe jo disa të tjera?

Nga Dr. Fatjona R. Lubonja

Përse mbajmë mend disa gjëra dhe jo disa të tjera? Kujtesa për trurin është çelësi për të mbijetuar. Nga momenti i zhvillimit të trurit ne ndërtojme memorje në mënyrë që të ushqehemi, levizim, komunikojmë, zhvillojmë marrëdhënie seksuale.., dhe shumë veprime të tjera që janë të domosdoshme për të jetuar.

Zhvillimi i kujtesës është i komplikuar por elementë të rëndësishëm në strukturën e trurit për procesin e “kujtesës” janë plasticiteti i qelizave nervore dhe komunikimi synaptik (elektrik dhe kimik) midis këtyre qelizave. Aftësia për ruajtjen e kujtesës varet nga arkitektura e rrjetit të qelizave nervore dhe nga aftësia e plasticitetit synaptik (aftesia per te ndryshuar strukturën qelizore), (Kandel, 2014).

Kujtesa afat-shkurtër varet nga zhvillimi synaptik që zgjat sekonda/minuta/orë ndërsa kujtesa afat-gjatë varet nga forcimin synaptik që zgjat prej disa ditë/javë/muaj (Castellucciet al, 1978;. Carew et al, 1979).

Në mënyre më të thjeshtë mund të thuhet se në qoftëse nuk mbani mënd ku i keni vendosur çelsat e shtëpise apo të makinës, mundësitë janë që qelizat nervore janë kufizuar në procesin e zhvillimit të tyre për atë veprim dhe mund të jenë eliminuar apo ndryshuar në një kohë të shkurtër.

Procesi i kujteses është i ndarë në dy kategori, ne kujtesën e qarte (explicit) dhe ne kujtesën e nenkuptuar (implicit). Kujtesa e qartë ka të bëjë me veprimet në përdorimin e përditshëm dhe ka veti për tu formuar lehtë por dhe të harrohet shpejt. Ndërsa, kujtesa e nënkuptuar lidhet me kujtesën procedurale si për shembull aftësitë individuale, muskulatura skeletike, akti seksual, reagimet emocionale, dhe të tjera… që zgjasin më shumë në kujtesë.

Është thelbësore të kuptojmë që kujtesa në sejcilën kategori (afat-shkurtër, immediate-, dhe afat-gjatë, eksplicite dhe implicite), varet nga plasticiteti i trurit, aftësia për të integruar informacione nga mjedisi dhe vet-rregullimi i veprimtarisë së qelizave nervore në përputhje me rrethanat. Si rrjedhoj për të patur një process të shëndetshëm të zhillimit të processit të kujtesës duhet patur shumë kujdes që në ditët e para të lindjes së foshnjes. Përballimi me stresin e fillimit te jetës dhe mjedisi që e rrethon mund të influencoj në ndryshimet epigjenetike (ADN), (Kandel, 2014).

Ky informacion është i rëndësishëm sepse çdo faktor shqetësues (emocional apo fizik) reflektohet në aktivitetin e qelizave nervore të trurit dhe rrjedhimisht në shëndetin e çdo individi. Për shembull, frika dhe çrregullime të ankthit zhvillohen pas përvojës së një ngjarje traumatike (fizike, emocionale, sexuale). Për shkak të një përforcimi të fortë emocional në procesing e formimit të qelizave nervore, kujtimet traumatike janë të fuqishme. Si pasojë sa më të fuqishme të jenë formimet qelizore aq më të vështira bëhen për tu trajtuar apo shëruar.