Kombëtarja shqiptare ndodhet në Frankfurt të Gjermanisë, ku do të vijojë përgatitjet për sfidat kualifikuese të ‘Euro 2020’ me Islandën dhe Moldavinë. Tashmë në drejtimin e trajnerit të ri Edy Reja, për futbollistët kuqezi ka rëndësi që të jenë sa më të përqendruar, për të qenë gati për këto dy ndeshje.
“Çdo gjë po shkon mirë, po përgatitemi seriozisht. Stërvitja ka qenë intensive. Përqendrimi ka qenë maksimal nga të gjithë, që të shkojmë në formën më të mirë të mundshme. Gjërat ndryshojnë. Është një trajner i ri me një metodë tjetër pune dhe në çdo ekip është më se e kuptueshme që të ndodhin. Por, ajo që ka më shumë rëndësi për ne është që për këto dy ndeshje të jemi gati”, ka thënë Bekim Balaj.