• E mërkurë / Nov-13 20:18
  • Kontakt

Zyrtare: Sarri, trajner i ri i Juventusit

Juventusi e ka emëruar zyrtarisht Maurizio Sarrin si trajnerin e tyre për sezonin 2019/2020, duke nënshkruar kontratë trevjeçare.

Trajneri italian i dha fund aventurës së tij te Chelsea, pas vetëm një viti të kaluar në Stamford Bridge, ndërsa ka fituar Ligën e Evropës, që është njëherësh edhe trofeu më i madh i tij deri më tani në karrierë.

Maurizio Sarri ka nënshkruar kontratë me Juventusin deri më 30 qershor të viti 2022, gjersa e zëvendësoi Massimiliano Allegrin, që u largua pas pesë vitesh, me pesë tituj të Serie A-së..

Ish-trajneri i skuadrës londineze gjatë gjithë karrierës së tij ka udhëhequr klube nga Italia, ku vlen të përmendet Napoli, ndërsa Chelsea ishte skuadra e vetme jashtë ligës italiane.

Sarri e filloi aventurën e tij si trajner në vitin 2005 në Serie B, derisa ka drejtuar klube si, Pescara, Arezzo dhe Avellino.

Më pastaj, mori drejtimin e Empolit në vitin 2012, duke e ngritur skuadrën në ligën e parë, për ta marrë më pas drejtimin e Napolit.

Italiani u largua nga napolitanët në verën e vitit 2018, për t’u bërë kështu trajner i Chelseat, që qëndroi vetëm për një sezon, mirëpo në këtë verë arriti marrëveshje trevjeçare me Juventusin.