Real Madridi e ndryshon strategjinë për ta transferuar Pogban

Real Madridi e ndryshon strategjinë për ta transferuar Pogban

“Operacioni” për ta sjellë lojtarin e kërkuar të Zinedine Zidanit në “Santiago Bernabeu” nuk do të ndodhë shpejt, mirëpo strategjia e “Los Blancos” është një që nuk është eksploruar shumë nga klubi më parë.

Real Madridi është duke u treguar i durueshëm kur vjen fjala te mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogbas. Plani i madrilenëve është që shumica e tentimeve për ta sjellë francezin në skuadër do të bëhen në prapaskena, shkruan AS, transmeton Gazeta Express.

Përderisa klubi po punon prapa dyerve të mbyllura për ta sjellë Pogban në “Santiago Bernabeu”, disa futbollistë që nuk janë më pjesë e planeve të klubit madrilen do të shiten për ta rritur buxhetin e “Los Blancos”.

Kjo strategji bën që mesfushori francez të pritet të transferohet në Real Madridi këtë verë, mirëpo jo së shpejti dhe jo për një shumë të lirë.

Përderisa dera e largimit mbetet e hapur në ‘Santiago Bernabeu’, klubi madrilen është ende në pritje të Manchester Unitedit që ta hapë këtë derë edhe në Old Trafford. Pasi të ndodhë kjo gjë, “Los Blancos” do t’i fillojnë negociatat.

Transferimi i Pogbas është kërkuar nga trajneri Zidane që kur u kthye në pozitën e trajnerit të Real Madridit. Për ta kthyer dëshirën e tij në realitet, trajneri francez është i gatshëm të presë deri në fund të afatit kalimtar, më 2 shtator.

Manchester Unitedi po tenton t’i shmanget kësaj situate duke e bindur mesfushorin francez se gjëja e duhur për t’u bërë është që ai të qëndrojë edhe më tej në skuadrën e “Djajve të kuq”. Pasi që klubi anglez nuk dëshiron të negociojë, Real Madridi nuk e di ende çmimin e francezit.