Barcelona e blen Neymarin me rata!

Barcelona e blen Neymarin me rata!

Gjiganti katalunas është i gatshëm t’i paguajë 70 milionë euro menjëherë për yllin brazilian të Paris Saint-Germainit dhe pjesën tjetër me rata

Neymar është futbollisti i momentit në botën e futbollit.

Emri i yllit brazilian është lakuar thuajse çdo ditë në afatin kalimtar të verës.

Mirëpo, “telenovela” Neymar duket se do të përfundojë në ditët në vazhdim.

Në fakt, Barcelona është klubi më i interesuar për yllin brazilian të Paris Saint-Germainit.

Dhe, sipas “El Chiringuito”, Blaugrana janë të gatshëm t’i paguajnë 60-70 milionë euro menjëherë për ish-futbollistin e tyre, ndërsa pjesën tjetër (total futbollisti mund t’ju kushtojë 160 milionë euro) me rata në vitet në vazhdim.

Por, fillimisht kampioni i Spanjës po planifikon ta shesë Arturo Vidalin dhe mesfushorin kilian e vlerëson 40-50 milionë euro.

Më pas, katalunasit ato para do t’i shpenzonin për ish-futbollistin e Santosit.

Mbetet të shihet nëse PSG-ja do ta pranojë ofertën e Barçës që t’ia paguajë paratë me rata.

Ndërkohë, gjiganti francez ia kërkon Barcelonës 250 milionë euro ose 100 milionë plus dy futbollistë, Ousmane Dembelen dhe Nelson Semedon.

Interesim serioz për Neymarin ka shfaqur edhe Real Madridi.

Futbollisti brazilian nuk dëshiron të luajë më në kampionatin francez të futbollit.