Paralajmërohet largimi i Shkodran Mustafit nga Arsenal

Babai i Shkodran Mustafit, Kujtim Mustafi që është edhe agjent i futbollistit ka folur për situatën e birit të tij në Arsenal për Sky Sports Gjermani.

“Shkodrani e ka kaluar një kohë të mirë te Arsenali. Ai ka ende edhe dy vite kontratë me klubin dhe mund të imagjinohet një qëndrim në Londër”, tha fillimisht Kujtim Mustafi.

Por agjenti i Shkodranit tutje deklaroi se do të ishte më e mira si për klubin ashtu edhe për birin e tij që të largohet.

“Megjithatë, më e mira si për klubin ashtu edhe për Shkodranin është që ai të largohet, por për të ndodhur kjo duhet të shikojmë ofertat”, përfundoi Mustafi.

Që nga transferimi i tij në Londër në vitin 2016 nga Valencia, Mustafi ka zhvilluar 115 paraqitje me Arsenalin. Por duket se Mustafi nuk është më në planet e trajnerit të Arsenalit.

Në konferencën për media të fundit, Emery, tha se për Mustafin dhe Elnenyn është më mirë që të largohen dhe karrierën e tyre ta zhvillojnë në ndonjë skuadër tjetër.