Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë

Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë

Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë është një ngjarje e veçantë që promovon ndërgjegjësimin mbi epilepsinë në më shumë se 120 vende çdo vit.

Çdo vit, të hënën e dytë të shkurtit njerëzit bashkohen për të festuar dhe nxjerrë në pah problemet që hasin personat me epilepsi, familjet dhe kujdestarët e tyre.

Kjo është një ditë për të gjithë, pa marrë parasysh se ku jeni, pa marrë parasysh sa i vogël është grupi juaj apo e madhe zona juaj, pa marrë parasysh nëse përqendroheni në aspektet mjekësore apo sociale të sëmundjes.

Shënimi i kësaj dite mbahet me iniciativën e përbashkët nga Byroja Ndërkombëtare për Epilepsi (IBE) dhe Lidhja Ndërkombëtare Kundër Epilepsisë (ILAE).

Epilepsia është një sëmundje me së paku dy sulme epileptike që shkaktohen pa asnjë arsye.

Krizat mund të shkaktojnë probleme në kontrollin e muskujve, në lëvizjen, të folurit, pamjen ose vetëdijen, kriza këto të cilat zakonisht nuk zgjatin shumë, por mund të jenë të frikshme.

Ekzistojnë një sërë faktorësh që mund të provokojnë sëmundjen, si: temperatura, traumat e kokës, infeksionet, pagjumësia. Epilepsia mund të shfaqet në çdo moshë.

Shpeshherë epilepsia shkaktohet nga keqformimi i trurit te fetusi. Rritja e kujdesit para lindjes dhe zhvillimi i teknologjisë mjekësore bën që këto dëmtime të evidentohen qysh para se fëmija të lindë.

Për këtë arsye është e këshillueshme që gratë shtatzëna të kryejnë kontrolle periodike në mënyrë që problemet e fetusit të evidentohen në kohën e duhur dhe të merren masat e nevojshme.

Ndryshe, në botë janë të prekur më shumë se 50 milionë njerëz, e kjo e bën këtë një problem të rëndësishëm në shëndetin publik, ndërsa në Kosovë nuk ka shifra të sakta se sa persona janë të prekur nga kjo sëmundje.